Hetimet e SPAK dhe protestat thellojnë krizën rreth resortit të Kushner
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton dyshimet se dokumentet e pronësisë për një pjesë të bregdetit të mbrojtur shqiptar, ku parashikohet ndërtimi i resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, janë falsifikuar.
Lajmi, i publikuar nga Al Jazeera duke iu referuar Reuters, shton një tjetër dimension ligjor në një projekt që prej muajsh ka nxitur protesta të vazhdueshme në vend.
Sipas dosjeve hetimore, biznesmeni Artur Shehu rezulton si shitësi i tokës që iu transferua kompanisë Albania Land Development, e lidhur me projektin e resortit.
Prokurorët dyshojnë se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përdorur dokumente pronësie të falsifikuara për të legalizuar të ardhura të dyshuara nga trafiku i drogës, ndërsa janë ngrirë rreth 110 milionë euro të lidhura me transaksionin.
Avokati i Shehut ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se klienti i tij është pronar legjitim i tokës, të trashëguar prej familjes që nga periudha osmane. Ai ka pretenduar gjithashtu se hetimi është i motivuar politikisht.
Reuters thekson se nuk ka gjetur prova që Jared Kushner, kompania Sazan Real Estate Development apo investitorët e tjerë të kenë qenë në dijeni të dyshimeve mbi dokumentacionin e pronësisë në momentin e blerjes së tokës.
Ndërkohë, polemikat nuk kufizohen vetëm te aspekti ligjor. Projekti parashikohet të zhvillohet pranë një zone të mbrojtur natyrore në bregdetin jugor të Shqipërisë, habitat i flamingove dhe breshkave të detit.
Pikërisht flamingot janë bërë simboli i protestës qytetare, e njohur tashmë si “Revolucioni i Flamingove”. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj ndërtimit të resortit është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe mënyrës së administrimit të pronës publike.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar qeverinë për favorizim të interesave private në dëm të qytetarëve dhe mjedisit.
Tensionet janë përshkallëzuar javët e fundit. Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë sjellë përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave të ujit, ndërsa dhjetëra persona janë arrestuar. Një pjesë e tyre u liruan më pas me vendim gjykate.
Në terren vazhdon edhe beteja ligjore e banorëve të zonës, të cilët prej vitesh pretendojnë se janë pronarët e ligjshëm të tokës dhe kanë paraqitur dokumente pronësie e të dhëna tatimore në mbështetje të pretendimeve të tyre.
Njëri prej tyre, Nikolin Markpalaj, deklaroi për Al Jazeera se nuk do të lejojë që toka e familjes së tij t’u merret me dokumente të kontestuara. “Ajo që po ndodh në këtë vend është çmenduri”, tha ai.
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare i ka cilësuar protestat si të nxitura nga kundërshtarët politikë dhe këmbëngul se projekti respekton legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Publikimi i dosjeve hetimore dhe dyshimet mbi origjinën e pronësisë së tokës pritet ta mbajnë çështjen në qendër të debatit publik, ndërsa protestuesit e konsiderojnë revoltën e tyre një reagim të ligjshëm kundër asaj që e quajnë grabitje të tokës dhe kapje të interesit publik. \tesheshi
