Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Alarm fals për bombë, avioni gjerman bëri ulje të detyruar në Kretë

Alarm fals për bombë, avioni gjerman bëri ulje të detyruar në Kretë

Një avion i linjave ajrore gjermane ka kryer ulje të detyruar në Aeroportin e Haniasë (Chania), në ishullin e Kretës, pas informacioneve se në të ishte vendosur një bombë.

Bëhet fjalë për një “Boeing 757” të kompanisë “Condor Air”, që ishte nisur nga Hurghada e Egjiptit me 281 pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit, me destinacion Dyseldorfin në Gjermani.

Alarmi u dha kur në tualetin e avionit është gjetur një letër që shkruante “bomb”. Kur avioni ka hyrë në zonën ajrore të Greqisë është shoqëruar nga dy avionë luftarakë “F16”, derisa ka kryer uljen e detyruar.

Pasi është ulur urgjentisht në Aeroportin e Haniasë, ai është dërguar në hapësirën mes terminalit kryesor të tij, pranë Aeroportit ushtarak të “Souda”-s, ku ndodhet baza amerikane, për t’u kryer kontrolli i duhur.

Të gjithë pasagjerët zbritën të sigurtë dhe u dërguan jashtë rrezes së zonës së sigurisë, në pritje të përfundimit të kontrollit të kryer nga forcat speciale të policisë, me ndihmën edhe të qenve të trajnuar posaçërisht për zbulimin e eksplozivëve.

I gjithë procesi u zhvillua siç parashikohej nga protokolli i sigurisë dhe, përveç hapësirës së avionit, u kontrolluan edhe të gjitha bagazhet e pasagjerëve. Alarmi rezultoi fals, pasi nuk u gjet asnjë pajisje shpërthyese, ndërkohë që pasagjerët kanë kaluar natën në aeroport dhe do të vijojnë udhëtimin këtë të premte.

Exit mobile version