Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Aliyev: Marrëdhënia midis Turqisë dhe Azerbajxhanit, model që duhet të merret si...

Aliyev: Marrëdhënia midis Turqisë dhe Azerbajxhanit, model që duhet të merret si shembull nga vendet fqinje

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se “marrëdhënia midis Turqisë dhe Azerbajxhanit është një model që duhet të studiohet e të merret si shembull nga vendet fqinje”, raporton Anadolu.

Aliyev u takua me pjesëmarrësit e Forumit të 4-të Global të Medias në Shusha dhe foli mbi zhvillimet rajonale dhe globale. Duke iu përgjigjur pyetjes së zv.drejtorit të përgjithshëm dhe kryeredaktorit të Agjencisë Anadolu (AA), Yusuf Ozhan, lidhur me marrëdhëniet Turqi-Azerbajxhan, Aliyev tha se Turqia dhe Azerbajxhani janë dy vendet më të afërta me njëra-tjetrën në mesin e të gjitha vendeve të botës.

“Kur shikohet niveli i bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike, të energjisë, ndërlidhjes dhe marrëdhënieve midis popujve, nuk ka dy vende të tjera në botë që janë aq afër njëra-tjetrës, që mbështesin aq shumë njëra-tjetrën dhe janë aq miqësorë sa Turqia dhe Azerbajxhani. Kjo është arritje e madhe për popujt dhe vendet tona. Kur jemi bashkë, jemi shumë më të fortë”, tha Aliyev.

Sipas tij, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Azerbajxhanit janë element i rëndësishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Në të njëjtën kohë, është edhe një faktor i rëndësishëm për sa i përket sigurisë. Sepse këtu në Shusha, 5 vjet më parë, së bashku me presidentin e Turqisë nënshkruam Deklaratën e Shushës. Ky dokument i ngriti marrëdhëniet tona faktikisht në nivelin e aleancës. Prandaj, ne nuk jemi vetëm vëllezër dhe miq, por jemi edhe aleatë. Nëse diçka fatkeqe ose e keqe i ndodh ndonjërit prej nesh, tjetri do të jetë pranë tij për të mbrojtur vëllain e tij me të gjitha mundësitë që zotëron, përfshirë edhe kapacitetin e tij ushtarak”, tha Aliyev.

“Të kesh origjinë të ngjashme apo të vish nga e njëjta familje gjuhësore nuk krijon gjithmonë një bazë të tillë. Përkundrazi, kohë pas kohe shohim se popuj që flasin pothuajse të njëjtën gjuhë luftojnë me njëri-tjetrin. Jemi dëshmitarë se njerëz që ndajnë të njëjtën fe vrasin njëri-tjetrin. Për këtë arsye, marrëdhënia midis Turqisë dhe Azerbajxhanit është model që duhet të studiohet e të merret si shembull nga vendet fqinje. Edhe fqinjët duhet të veprojnë pikërisht si Turqia dhe Azerbajxhani”, tha ai.

Aliyev preku edhe çështjet e transportit ndërkombëtar dhe shtoi se për shkak të situatës aktuale në Lindjen e Mesme, tranzitet përmes Azerbajxhanit janë rritur.

Ai nënvizoi se rëndësia e Azerbajxhanit në transportin tranzit po rritet dita-ditës. “Ne ishim të gatshëm të përballonim vëllimin e rritur të ngarkesave. Tani po zgjerojmë më tej kapacitetin tonë. Do të rrisim në 25 milionë tonë kapacitetin e portit tonë, i cili aktualisht është porti më i madh tregtar i Kaspikut dhe ka kapacitet prej 15 milionë tonësh. Gjithashtu, po ndërtojmë 10 anije në kantierin tonë detar me qëllim që të transportojmë ngarkesat që vijnë nga Evropa dhe shkojnë drejt Evropës”, tha presidenti azerbejxhanas.

Sipas tij, marrëdhëniet e tyre të ngushta me vendet e Azisë Qendrore dhe Komisionin Evropian, si dhe pozicionimi i tyre ekzaktësisht në mes të këtyre dy destinacioneve u siguron atyre avantazh të madh. “Natyrisht, politika e Azerbajxhanit, e cila bazohet gjithmonë në bashkëpunim, në zgjidhjen e shqetësimeve të fqinjëve tanë dhe në gatishmërinë e tyre për të zgjidhur shqetësimet tona, gjithashtu e fuqizon këtë avantazh”, tha Aliyev.

Në forumin me titull “Misioni i Medias në Promovimin e Paqes: Rivedosja e së Vërtetës dhe Rindërtimi i Besimit” marrin pjesë rreth 160 pjesëmarrës nga 53 vende. Forumi, ku marrin pjesë më shumë se 30 agjenci lajmesh, 10 organizata ndërkombëtare dhe rreth 60 organizata mediatike, do të zgjasë dy ditë.

Exit mobile version