Shefi i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Fahrettin Altun, u bëri thirrje të martën mediave dhe organizatave të shoqërisë civile që të ndërmarrin nisma të përbashkëta për të luftuar lajmet e rreme, transmeton Anadolu.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha mediave si dhe organizatave të shoqërisë civile të marrin inicativa të përbashkëta që fokusohen në adresimin e ofertës dhe kërkesës së lajmeve të rreme. Lufta kundër dezinformimit duhet të jetë përpjekje gjithëpërfshirëse nga të gjithë ne”, tha Altun në rrjetin social “X”.
Ai vuri në dukje se gazetarët dhe shtëpitë mediatike kanë punë sfiduese në kohë tensionesh dhe konfliktesh, sepse “jo vetëm duhet të japin informacion të saktë, por edhe të luftojnë fushatat e dezinformimit që bëhen nga të gjitha llojet e grupeve”.
Megjithatë, shtoi ai, nuk është vetëm detyra e profesionistëve të sigurojnë vërtetësinë dhe besueshmërinë e informacionit që qarkullon në mediat tradicionale dhe sociale. “Publiku duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dhe kujdes për saktësinë e lajmeve kur shpërndan përmbajtje”, tha Altun.
Në epokën e mediave sociale, tha Altun, konsumatorët e lajmeve janë “shpesh vetë pjesëmarrës aktivë në përhapjen e lajmeve të vërteta ashtu edhe të rreme”.
“Dezinformimi nuk është akt naiv dhe se ata që marrin pjesë pa vetëdije duhet të kuptojnë se kanë edhe përgjegjësi”, tha Altun, duke shtuar:
“Përhapja e mesazheve të caktuara pa kontrolluar burimin dhe përmbajtjen është dëmtim serioz për bashkëqytetarët tanë. Nëse jemi vërtet të interesuar për një shoqëri të ndërtuar mbi të vërtetën, publiku duhet të insistojë në të vërtetën dhe të luftojë dezinformimin”.
