Ballina Lajmet Kosovë Ambasadori hungarez vizitoi medresenë “Alauddin”

Ambasadori hungarez vizitoi medresenë “Alauddin”

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë,  László Márkusz, ka vizituar Medresenë “Alauddin”.

Me ftesë të shkollës, Ambasadori me kënaqësi pranoi t’u drejtohej nxënësve të Medresesë për një bashkëbisedim, i cili artistikisht u quajt: “40 minuta me Ambasadorin”.

Tema e bashkëbisedimit u fokusua rreth diversitetit religjioz në Evropë, me theks të veçantë atij në Hungari, dhe praktikave të këtij shteti të zhvilluar evropian në rrjedhat dhe trajtimin e tij.

Ambasadori Márkusz me kujdes e elaboroi çështjen e diversitetit religjioz, një vlerë e cila duhet të ruhet dhe të kultivohet nga shoqëria dhe komunitetet e saj, brendapërbrenda aspekteve socio-politiko-kulturore.

Márkusz, temën aktuale të diversitetit e orientoi edhe prapa në histori, duke sjellur shembuj interesant të diversitetit në kontekst historik, të përqasjes së ndryshme pozitive dhe negative, duke aluduar se vetëm atëherë kur i solli të mira njerëzimit e meritoi epitetin ‘vlerë’.

Në këtë këndvështrim, Márkusz i përmendi komunitetet e ndryshme fetare si muslimane, krishtere, hebreje, budiste, etj., të cilat me vlerat e përbashkëta që kanë, e garantojnë paqen sociale brenda njeriut dhe harmoninë e këtij të fundit me të gjithë të tjerët që të paktën fetarisht nuk janë si ky.

Nga ana tjetër, nxënësit e Medresesë shprehën interesimin e tyre për vlerat e diversitetit dhe tolerancës, me theks të veçantë për praktikat e shtetit hungarez mbi këto koncepte, dhe për mësimet e mundshme që mund të nxirren për shoqërinë tonë dhe shtetin kosovar.

Pyetjes së nxënësve për mundësinë e vazhdimit të studimeve në Hungari, Ambasadori iu përgjigj afirmativisht, duke i informuar se shteti hungarez tanimë ka një kontratë me shtetin e Kosovës, për ndarje të 50 bursave në vit për studentët kosovarë. Ambasadori u shpreh i gatshëm të interesohet që nxënësve të interesuar për studimet në Hungari t’ju mundësohet përfshirja e tyre në këtë skemë bursash, në fushën e teologjisë, orientalistikës dhe fusha të tjera.

Në fund të kësaj vizite, nxënësit e falënderuan Ambasadorin Márkusz për bashkëbisedimin dhe informatave interesante tematike, dhe u shprehën se sot e fituan një MIK të ri, i mirëseardhur gjithmonë në shkollën e tyre.

Drejtori i Medresesë,  Jakup Çunaku, para takimit, e njoftoi Ambasadorin me natyrën e shkollës dhe me stafin e saj, dhe zhvilluan një bisedë të ngrohtë dhe informale në kabinetin e drejtorit.

Exit mobile version