Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dalë me të dhëna të reja sa i përket situatës me vërshimet në territorin e Kosovës.
Sipas tyre, situata me vërshime paraqitet dinamike, me raste të lokalizuara në disa komuna si pasojë e reshjeve të shtuara. Në pjesën tjetër të vendit, sipas tyre, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Ata i kanë bërë të ditura edhe veprimet në terren. Kanë treguar se Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me Qendrën Operative të Agjencisë, strukturat komunale, janë të angazhuara në: Koordinimin e mbështetjes qeveritare, në intervenime për pompim të ujit, sigurim të objekteve të rrezikuara e monitorim të pikave kritike.
AME thotë se numri unik emergjent 112 është funksional dhe në shërbim të qytetarëve.
“Nuk raportohet për humbje jete. Dëmet materiale janë të kufizuara dhe janë në proces vlerësimi nga autoritetet lokale”, thotë Agjencia e Menaxhimit Emergjent.
Sipas tyre, ekziston mundësia për përkeqësim të situatës në rast të reshjeve të reja, megjithatë thonë se rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare, dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në numrin 112.
Kanë thënë se situata mbetet nën monitorim aktiv dhe se AME mbetet e përkushtuar 24 orë të informojnë publikun për çdo zhvillim të ri.
