Ballina Lajmet Kosovë Analistët: LDK dhe VV duan zgjedhje të parakohshme, jo platformë për dialog...

Analistët: LDK dhe VV duan zgjedhje të parakohshme, jo platformë për dialog me Serbinë

Partitë politike, si pozita dhe opozita, duhet të lënë anash politikat ditore dhe të ulen së bashku që të ndërtojnë platformën e shtetit të Kosovës për dialogun, Kosovë-Serbi. Mirëpo, duket se një gjë e tillë është e pamundur të ndodh pasi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), më përpara duan ta dërgojnë vendin në zgjedhje se sa të miratojnë një rezolutë të përbashkët.

Kështu kanë deklaruar për Telegrafin analistët njohës të rrethanave politike në vend gjatë një prononcimi të tyre.

Analisti, Ramush Tahiri tha se nuk beson që do të arrihet të krijohet një rezolutë e përbashkët në mes të partive politike.

Sipas tij, rezoluta e paraqitur nga kryeparlamentari, Kadri Veseli, nuk është gjithëpërfshirëse dhe nuk është e qartë sa i përket çështjeve kushtetuese dhe juridike.

“Nuk besoj që do të arrijnë partitë pozitë-opozitë të bëjnë një rezolutë të përbashkët për dialog. Rezoluta nuk është gjithëpërfshirëse dhe nuk është e qartë sa i përket çështjeve kushtetuese dhe juridike, e këtë e shprehin dhe partitë që nuk marrin pjesë, sepse dialogu politik udhëhiqet në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjeve”, ka thënë Tahiri.

Ai shtoi se më parë do të shkohet në zgjedhje, se sa që miratohet një rezolutë me gjithë kundërshtimet e dy partive të mëdha siç janë LDK dhe LVV.

“Faktikisht kjo është humbje kohe, pasi nuk diskutohet teksti dhe vetëm tregojnë animet ose jo animet për  një ide të caktuar”, ka vlerësuar Tahiri, për Telegrafin.

Edhe Jeta Krasniqi nga KDI, theksoi se çdo propozim nga partitë politike të cilat ftojnë për arritjen e një konsensusi të gjerë politik rreth dialogut Kosovë-Serbi është pozitive.

Ajo tha se tentativat e partive politike duhen të jetë vizionare e serioze,  si dhe jo reaksionare ndaj zhvillimeve të politikave ditore.

“Konsensusi i gjerë politik rreth çështjes së dialogut është fundamental, pasi kemi të bëjmë me një çështje të interesit të lartë shtetëror. Çështja e dialogut nuk mund të shtyhet përpara vetëm nga një institucion apo vetëm nga partitë politike në pushtet. Kjo kërkon koordinim në mes institucioneve, konsensus në mes partive politike, dhe mbi të gjitha kërkon diskutim të gjerë rreth pritshmërisë së palës kosovare në këtë proces dhe qëndrimin e shtetit të Kosovës. Pra qëndrimin unik të shtetit të Kosovës në këto bisedime”, u shpreh Krasniqi, për Telegrafin.

Ajo tha se tentativa drejt një konsensusi duhet të jetë e sinqertë e serioze, dhe jo vetëm kërkesë ndaj palëve të tjera për t’iu bashkuar tashmë platformave të përpiluara.

“Partitë politike duhet të lënë anash politikat ditore dhe të ulen së bashku të ndërtojnë platformën e shtetit të Kosovës. Tentativa drejtë një konsensusi duhet të jetë e sinqertë dhe serioze, jo vetëm kërkesë ndaj palëve të tjera për t’iu bashkuar tashmë platformave të përpiluara duke mos dashur të lëvizin nga pozicionet rigide”, tha ajo.

Krasniqi gjithashtu ka potencuar se përfshirja e opozitës në këtë proces është kyç dhe shumë domethënëse.

“Pavarësisht se kush është në pushtet, nëse një marrëveshje arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, ratifikimi I saj në kuvendin e Kosovës kërkon 2/3 e votave të deputetëve,  prandaj përfshirja e opozitës në këtë proces është kyç që nga fillimi i vet procesit. Prandaj dhe Kuvendi ka rolin e tij të pakontestueshëm në këtë proces dhe ne presim që Kuvendi do ta luaj këtë rol duke diskutuar pa rreshtuar deri në përpilimin e një qëndrimi të përbashkët dhe jo në bllokada të qëndrimeve të ndryshme të partive politike ndaj njëra-tjetrës”, sqaroi Krasniqi nga KDI.

Ndryshe, të enjten është mbajtur takimi i thirrur nga kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me partitë politike në vend pozita dhe opozita,  ku diskutuan rreth mundësisë së harmonizimit  të qëndrimeve për rezolutën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, nga i cili takim nuk rezultoi ndonjë marrëveshje e përbashkët. /Telegrafi/

Exit mobile version