Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Anija luftarake ruse hap zjarr paralajmërues ndaj anijes së mallrave në Detin...

Anija luftarake ruse hap zjarr paralajmërues ndaj anijes së mallrave në Detin e Zi

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi se një zjarr paralajmërues u hap ndaj një anijeje të mallrave që lëvizte drejt portit të Ukrainës në Detin e Zi, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga ministria vihet në dukje se anija patrulluese ruse “Vasily Bykov” identifikoi në jugperëndim të Detit të Zi anijen e mallrave të thata të emërtuar “Sukru Okan” me flamur të Palaut.

“Anija po lëvizte drejt portit Izmail të Ukrainës. Kapiteni i anijes nuk dha përgjigje ndaj kërkesës për të ndaluar për kontroll lidhur me dërgesën e ngarkesave të ndaluara. Anija luftarake ruse hapi zjarr paralajmërues me armë të lehta automatike për të ndaluar me forcë anijen”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se për kontrollin e anijes u ngritën në ajër helikopterët e llojit “Ka-29” të cilët transportuan ushtarët rusë. “Pas bisedimeve me radio-marrëse anija ndaloi dhe ekipi i kontrollit hipi në anijen e mallrave. Pas përfundimit të punimeve nga ekipi i kontrollit, anija ‘Sukru Okan’ vazhdoi rrugën e saj drejt portit Izmail”, thekson ministria.

Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë më 19 korrik njoftoi se të gjitha anijet që shkojnë në portet e Ukrainës do të vlerësohen si “transportues të ngarkesës potenciale ushtarake”.

Exit mobile version