Pavarësisht armëpushimit, Izraeli vazhdon të bllokojë hyrjen e strehimoreve dhe ndihmave dimërore në Rripin e Gazës, duke lënë civilët, veçanërisht fëmijët, të ekspozuar ndaj kushteve ekstreme të motit.
Teksa Gaza përballet me reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe temperatura të ulëta, të paktën 14 palestinezë kanë humbur jetën për shkaqe të lidhura me dimrin, përfshirë hipoterminë, bëjnë të ditur burime lokale.
Mes viktimave janë të paktën pesë fëmijë, përfshirë foshnja dyjavëshe dhe njëmuajshe, të cilët kanë vdekur nga të ftohtit në tenda të improvizuara dhe shtëpi të dëmtuara. Vdekjet lidhen drejtpërdrejt me mungesën e strehimit të sigurt dhe bllokimin e ndihmave humanitare nga Izraeli në enklavën e rrethuar.
Stuhitë dimërore kanë përmbytur dhe shkatërruar tenda që nuk janë të përshtatshme për mot të ftohtë, ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur që prej shkatërrimit të më shumë se 85 për qind të banesave në Gaza nga sulmet izraelite.
Edhe pse një armëpushim ka hyrë në fuqi më 10 tetor, Izraeli vazhdon të ndalojë hyrjen e karavanëve, njësive të përkohshme të banimit, materialeve për rindërtim dhe furnizimeve të tjera jetike për dimrin, përfshirë batanije dhe veshmbathje.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se situata po përkeqësohet çdo ditë dhe se mungesa e strehimit dhe ndihmave bazë po rrezikon jetën e mijëra civilëve, veçanërisht të fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve, duke e thelluar edhe më tej krizën humanitare në Gaza. /mesazhi
