Anija “Madleen”, pjesë e Flotiljes së Lirisë, është nisur drejt Rripit të Gazës me ndihma urgjente dhe një delegacion aktivistësh ndërkombëtarë për të sfiduar bllokadën izraelite.
Sipas Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC), kjo nismë humanitare kundërshton bllokadën e vazhdueshme ndaj Gazës, të cilën e konsideron të paligjshme dhe gjenocidale. “Madleen” mban emrin e peshkëtares së parë të njohur nga Gaza dhe simbolizon qëndresën palestineze dhe solidaritetin ndërkombëtar.
Në bord ndodhen figura të njohura si eurodeputetja Rima Hassan dhe aktivistja për klimën Greta Thunberg, së bashku me vullnetarë nga vende të ndryshme.
Anija mban ngarkesë me artikuj jetikë, përfshirë qumësht për foshnja, oriz, pajisje mjekësore, kite për desalinizimin e ujit dhe proteza për fëmijë – produkte që mungojnë rëndë për shkak të rrethimit.
Nisja e flotiljes vjen një muaj pas një sulmi me dron nga Izraeli ndaj anijes tjetër të FFC-së, “Conscience”, pranë brigjeve të Maltës.
FFC e paraqet këtë mision si rezistencë civile paqësore, me ekuipazhin e trajnuar në metoda jo të dhunshme. Organizata u ka bërë thirrje qeverive botërore të sigurojnë kalim të sigurt për “Madleen” dhe të gjitha misionet humanitare, ndërsa i ka kërkuar medias të pasqyrojë saktë udhëtimin dhe shoqërisë civile të ngrejë zërin për Gazën.
“Kjo anije nuk mbart vetëm ndihma, por edhe një mesazh: t’i jepet fund bllokadës, t’i jepet fund gjenocidit,” deklaroi Rima Hassan. /mesazhi
