Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) ka miratuar një projekt-rezolutë që bën thirrje për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, ndërsa Rusia votoi kundër dhe SHBA-ja abstenoi, transmeton Anadolu.
Rezoluta u miratua me 107 vota pro, 12 kundër dhe 51 abstenime.
E paraqitur nga Ukraina dhe e bashkë-sponsorizuar nga 46 vende, rezoluta thekson pasojat rajonale dhe globale të luftës, duke shprehur “shqetësim të thellë” për sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj “civilëve, objekteve civile dhe infrastrukturës kritike energjetike”, të cilat përkeqësojnë situatën humanitare.
Dokumenti riafirmon përkushtimin e fortë të asamblesë ndaj sovranitetit, pavarësisë, unitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë ujërat territoriale.
Duke bërë thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte”, rezoluta gjithashtu kërkon “shkëmbimin e plotë të robërve të luftës, lirimin e të gjithë personave të ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe kthimin e civilëve të transferuar ose deportuar me forcë, përfshirë fëmijët, si një masë kyçe për ndërtimin e besimit”.
Ndërkohë, SHBA-ja propozoi një “mocion për ndarje” të rezolutës, duke veçuar për votim të ndarë paragrafin e dytë të pjesës hyrëse dhe klauzolën e dytë vepruese nga pjesa tjetër e dokumentit.
Propozimi u kundërshtua ashpër nga zv/ministrja e Punëve të Jashtme e Ukrainës, Mariana Betsa, e cila e cilësoi atë si “thellësisht shqetësues dhe të papranueshëm”.
Zv/përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Tammy Bruce, argumentoi se “qëndrimi ynë është se disa formulime në rezolutë ka gjasa të shpërqendrojnë nga negociatat në vazhdim, në vend që të mbështesin diskutimin e gamës së plotë të rrugëve diplomatike që mund të hapin rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme”.
