Zv/kryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë vizitës në Ukrainë ka takuar zv/kryeministrin për Integrim Evropian dhe Euroatlantik të Ukrainës, Taras Kachka, transmeton Anadolu.
Zyra e zv/kryeministrit njofton se takimi ka qenë në frymë konstruktive, ku është diskutuar për procesin eurointegrues, marrëveshjet tregtare dhe rolin e NATO-s, duke marrë parasysh rëndësinë e Maqedonisë së Veriut si vend anëtare e NATO-s në sigurimin e stabilitetit rajonal.
Në fokus të takimit kanë qenë edhe reformat në drejtësi dhe administratë, agjenda reformuese dhe plani i rritjes.
“Marrëdhëniet bilaterale janë kultivuar ndër vite, integrimi i dy vendeve në BE mbetet prioritet dhe pjesë e planit strategjik dhe i përcolla mbështetjen tonë që Ukraina të bëhet sa më shpejt një vend anëtare e NATO-s, duke sjellë paqe dhe stabilitet rajonal”, shkroi zv/kryeministri Sali në rrjetet sociale.
