Ballina Kulturë Evenimente Apeli për bojkot të Eurovizionit në Izrael mbështetet nga 140 artistë

Apeli për bojkot të Eurovizionit në Izrael mbështetet nga 140 artistë

Një grup prej 140 artistësh nga e gjithë bota mbështetën thirrjen për të bojkotuar edicionin e 64-t të Eurovizionit që do të mbahet vitin e ardhshëm në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta “The Guardian” ka publikuar një tekst të nënshkruar nga 140 artistë të cilët publikisht kanë mbështetur apelin e artistëve palestinezë për të bojkotuar edicionin e Eurovizionit në Izrael.

“Ne mbështesim apelin e artistëve palestinezë, nuk duhet bashkëpunuar me shtetin e Izraelit derisa palestinezët të fitojnë lirinë, drejtësinë dhe të drejtat që ky shtet ua merr”, thuhet në tekst.

Artistët, në tekstin e mbështetjes për bojkotin, rikujtuan se ushtria izraelite kohët e fundit vrau të paktën 62 palestinezë, përfshirë të paktën 6 fëmijë në Gaza.

“Edicioni i Eurovizionit në Izrael duhet bojkotuar për sa kohë që Izraeli vazhdon shtypjen disa dekadashe të të drejtave dhe lirive themelore të palestinezëve”, thanë artistët.

Grupi i artistëve gjithashtu konsideron se nuk është e mjaftueshme që Unioni i Producentëve Evropianë (EBU) ka kërkuar nga Izraeli të mos e organizojë edicionin në Kuds.

“Izraelit duhet t’i hiqet roli i organizatorit dhe edicioni duhet të mbahet në një vend tjetër i cili më shumë respekton të drejtat e njeriut”, ka thënë grupi i artistëve.

Ndër nënshkruesit e tekstit janë muzikanti Roger Waters, regjisori Ken Loach dhe shkrimtari Yann Martel. Në mesin e atyre që kanë nënshkruar janë gjashtë artistë nga Izraeli.

Exit mobile version