Arabia Saudite përshëndeti vendimin e SHBA-së për të hequr sanksionet e vendosura ndaj Sirisë sipas “Aktit të Cezarit”, transmeton Anadolu.
Kjo erdhi një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2026, duke i dhënë fund zyrtarisht sanksioneve të vendosura sipas “Aktit të Cezarit” gjatë sundimit të regjimit të rrëzuar të Bashar al-Assadit.
Duke komentuar këtë veprim, një deklaratë e Ministrisë së Jashtme Saudite tha se vendimi i Washingtonit do të “kontribuojë në mbështetjen e stabilitetit, prosperitetit dhe zhvillimit në Siri, në një mënyrë që përmbush aspiratat e popullit sirian”.
Ajo gjithashtu përgëzoi rolin “pozitiv” të Trumpit në këtë drejtim.
Ministria përgëzoi qeverinë dhe popullin sirian për heqjen e të gjitha sanksioneve dhe shprehu vlerësim për hapat e ndërmarrë nga qeveria për të “rivendosur stabilitetin në të gjitha territoret siriane, për të krijuar kushte të favorshme për rindërtimin e shtetit dhe ekonomisë siriane dhe për të lehtësuar kthimin e refugjatëve sirianë dhe personave të zhvendosur në zonat e tyre të origjinës”.
“Akti i Cezarit i Mbrojtjes Civile të Sirisë” i vitit 2019 i lejoi SHBA-së të vendoste sanksione ekonomike dhe udhëtimi ndaj kujtdo, sirian apo të huaj, që ndihmon sektorët ushtarakë, të inteligjencës, të aviacionit ose të prodhimit të energjisë të ish-regjimit të Asadit. Ai gjithashtu synon individët dhe subjektet që ndihmojnë regjimin të sigurojë mallra, shërbime ose teknologji që mundësojnë operacione ushtarake.
Assadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e kryesuar nga Presidenti Ahmad al-Sharaa u formua në janar.
