Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Araghchi mbërrin në Oman për bisedime bërthamore me SHBA-në, Irani dislokon raketa...

Araghchi mbërrin në Oman për bisedime bërthamore me SHBA-në, Irani dislokon raketa Khorramshahr 4

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka mbërritur në kryeqytetin e Omanit, Muskat, për të marrë pjesë në një raund të ri bisedimesh bërthamore me Shtetet e Bashkuara, njoftoi agjencia shtetërore iraniane IRNA.

Sipas raportimit, bisedimet pritet të zhvillohen sot. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se Irani do të angazhohet në negociata “me autoritet dhe me synimin për të arritur një marrëveshje të drejtë, të pranueshme reciprokisht dhe dinjitoze” për çështjen bërthamore.

Ai shtoi se Teherani shpreson që pala amerikane të marrë pjesë në këtë proces “me përgjegjësi, realizëm dhe seriozitet”.

Në anën amerikane, bisedimet do të përfaqësohen nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, dhe i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff.

SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord të zhvillojnë bisedime pavarësisht mospajtimeve të thella, pasi Uashingtoni kërkon që negociatat të përfshijnë edhe programin raketor të Iranit, ndërsa Teherani këmbëngul se do të diskutojë vetëm çështjen bërthamore.

Bisedimet zhvillohen në një klimë tensioni të shtuar mes dy vendeve, të nxitur nga rritja e pranisë ushtarake amerikane pranë Iranit dhe kërcënimet e përsëritura për sulme ushtarake nga presidenti Trump. Ditët e fundit, disa vende kanë ofruar ndërmjetësim për të ulur tensionet, me Turqinë që ka luajtur një rol aktiv.

Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian Press TV njoftoi se Irani ka dislokuar një nga raketat e tij balistike më të avancuara me rreze të gjatë veprimi, Khorramshahr 4, në një nga bazat nëntokësore raketore të Gardës Revolucionare.

Sipas mediave shtetërore, raketa ka një rreze veprimi prej 2.000 kilometrash dhe mund të mbajë një koka luftarake prej 1.500 kilogramësh. Dislokimi i saj përkon me njoftimin për ndryshimin e doktrinës së forcave të armatosura iraniane nga mbrojtëse në ofensive dhe, sipas Teheranit, përbën një mesazh të qartë për kundërshtarët rajonalë dhe ndërkombëtarë.

SHBA-ja dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se synon të prodhojë armë bërthamore, ndërsa Teherani e mohon këtë, duke deklaruar se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike. Izraeli besohet se zotëron rreth 90 koka bërthamore, por nuk e konfirmon zyrtarisht këtë dhe nuk është nënshkrues i Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore. /mesazhi

Exit mobile version