Ballina Lajmet Kosovë Arifi: Tri ditë diskutime, asnjë marrëveshje – pala serbe ishte jo bashkëpunuese

Arifi: Tri ditë diskutime, asnjë marrëveshje – pala serbe ishte jo bashkëpunuese

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, pas tri ditë diskutimesh në Bruksel nuk kanë arritur asnjë marrëveshje sa i përket procesit të dialogut.

Dhe për këtë dështim, së paku sipas asaj që thotë shefi i ekipit negociator i palës kosovare, Avni Arifi, ishte mosbashkëpunimi i palës serbe.

Arifi tha se pala serbe në asnjë temë nuk kishte progres dhe as donin të bënin.

“Ne kemi shkuar ekstrem të përgatitur dhe bile edhe kreativë në idetë për implementim. Ata në asnjë temë, asnjë progres as nuk kishin as nuk deshën të bëjnë”, theksoi Arifi.

Ndryshe, në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini thuhet se kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, Marko Gjuriq dhe Avni Arifi, së bashku me ekipet e tyre përkatëse, u takuan në Bruksel nga data 19 deri më 21 mars.

Ata ndoqën diskutimet e tyre të mëparshme mbi zbatimin e pazgjidhur të marrëveshjeve të ndryshme të arritura ndërmjet dy palëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në veçanti marrëveshjet mbi Shoqatën/Komunitetin e Komunave me shumicë serbe, Energjinë, Urën e Mitrovicës, MIK dhe Lirinë e Lëvizjes.

Exit mobile version