Kryeministri armen Nikol Pashinyan i propozoi Azerbajxhanit hartimin e një udhërrëfyesi të përbashkët për përfundimin e “çështjes së Karabakut”, raporton Anadolu.
“Po i bëj një propozim të drejtpërdrejtë (Azerbajxhanit): të ulemi dhe të zhvillojmë një udhërrëfyes për mënyrën se si ta eliminojmë këtë çështje”, tha Pashinyan në një konferencë për media në Gjermani, sipas agjencisë shtetërore “Armenpress”.
Deklarata e Pashinyanit erdhi si përgjigje ndaj një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit të martën në lidhje me miratimin e një agjende strategjike mes Armenisë dhe BE-së më herët këtë muaj. Baku kritikoi frazën “armenët e Karabakut të zhvendosur pas operacioneve ushtarake të Azerbajxhanit” në dokument.
Ai gjithashtu e cilësoi klasifikimin e tyre si “refugjatë” si “një shembull të gjallë të paragjykimit kundër Azerbajxhanit”. Duke e përshkruar “kthimin e armenëve në Karabak” si një çështje të rrezikshme, Pashinyan tha se eliminimi i kësaj çështjeje do të nënkuptonte “eliminimin e çdo situate të mundshme konflikti” në afat të gjatë.
“U kam thënë gjithashtu njerëzve tanë nga Karabaku se kthimi i tyre nuk është realist”, shtoi Pashinyan.
“Nëse vazhdojmë të mbajmë agjendën e kthimit, do të thotë se po e rinisim sërish lëvizjen e Karabakut, por kam thënë se nuk duhet ta rinisim lëvizjen e Karabakut. Lëvizja e Karabakut ka përfunduar dhe përpjekjet për ta ringjallur atë nuk janë të dobishme”, theksoi Pashinyan.
“Por, nga ana tjetër, në Armeni shohim gjithashtu që Azerbajxhani përdor vazhdimisht termin e pakuptueshëm ‘Azerbajxhani perëndimor'”, shtoi ai.
Azerbajxhani ende nuk ka komentuar zyrtarisht mbi propozimin.
