Ballina Lajmet Shqipëri Arsimi bazë i gjuhës shqipe/ Mblidhet Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë

Arsimi bazë i gjuhës shqipe/ Mblidhet Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë

“Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë” ishte takimi i mbajtur sot online ku u diskutua për rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi i mësuesve vullnetarë që japin mësim të gjuhës shqipe në diasporë, në bashkëpunim me institucionet shqiptare.

Ky është viti i tretë rresht që “Qendra e Botimeve për Diasporën” dërgon tekste për mësimin e gjuhës shqipe në mbarë diasporën. Janë rreth 700 klasa që aktualisht bëjnë të mundur mësimdhënien e arsimit bazë të gjuhës shqipe. Kjo pasi nuk është i njëjti program mësimor që funksionon në Shqipëri, pasi ky program konsiderohet si program dytësor.

Këto programe funksionojnë për fëmijët nga mosha 6-vjeçare deri në 14 vjeç, pra baza e formimit gjuhësor.

Ky është takimi i parë i këtij lloj nga Ministria e Shtetit për Diasporën.

Në panel ishin përfaqësues nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe Ministria e Arsimit të Shqipërisë në komunikim me mësuesit nga të gjitha shtetet e botës nga ku edhe ushtrojnë këtë aktivitet.

Janë krijuar fjalorë shqip-anglisht, italisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht, suedisht etj. Suksesi i këtij procesi ka qenë i madh sepse tekstet shkojnë në kohë reale meqënëse janë në mënyre elektronike. Por kryesore është edhe unifikimi i tekstit të mësimit të gjuhës shqipe.

Në këtë proces mësimdhënieje janë të përfshirë rreth 500 mësues në mbarë botën, ndërsa nxënësit që mësojnë gjuhën shqipe janë me mijëra.

Prezent në këtë takim, përveç ministrave Majko e Kushi ishte edhe drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, Mimoza Hysa e cila në një intervistë ekskluzive për ATSH-në shprehet se “sot Qendra e Botimeve për Diasporën pas dy vitesh veprimtari bën bashkë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ministritë e Arsimit nga të dyja vendet dhe të gjithë institucionet që kanë në fokus dhe prioritet këtë proces”.

“Ky takim ishte planifikuar që të mbahej një vit më parë, por që situata me pandeminë bëri shtyrjen. Pas një pune shumë të madhe të mësuesve që punojnë nga të gjithë vendet e botës bëhen bashkë, për të bërë një rezyme të punëve të bëra por edhe të nxisin këtë proces në vijim. Shqipëria dhe Kosova duhet ta kenë në fokus faktin që kjo pasuri, duhet të vazhdojë dhe duhet të mbahet gjallë. Falë vullnetarëve ky proces vazhdon. Puna nuk ka dy vjet që kryhet por Kosova për më tepër ka vite të shumta që merret me këtë proces nga fakti që ata kanë emigruar edhe më herët se ne. Neve s’na ngelet tjetër, veçse në këtë terren të përgatitur, tashmë të vazhdojmë rrugën dhe investimin tonë”, u shpreh ajo.

“Pa Ministrinë e Jashtme dhe atë të Arsimit ne nuk mund të veprojmë, sepse janë hallkat kryesore në këtë proces. Ne tashmë po bëjmë bashkë edhe institucionet e Kosovës pasi kemi një Diasporë, e cila nuk mund të ndahet Shqipëri apo Kosovë, ndaj edhe qasja duhet të jetë e përbashkët”, tha Hysa.

“Të ftuar ishin ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Kushi, ministrja e Arsimit të Kosovës, Nagavci, zv.ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Liza Gashi, përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Hoxha, drejtuesja e Komisionit të Përbashkët Shqipëri Kosovë, Anila Ferizaj, drejtuesi i Këshillit të Arsimtarëve, Sejdiu por më kryesorët ishim me qindra mësues që janë edhe ata, nga varet politika e institucioneve tona”, përfundoi ajo. /atsh

Exit mobile version