Ballina Lajmet Asadi përkundër vendimit të KS-OKB-së kryen sulme në Siri

Asadi përkundër vendimit të KS-OKB-së kryen sulme në Siri

Regjimi i Bashar al-Asadit përkundër vendimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për armëpushim humanitar një mujor në Siri, kryen sulme në Gutën Lindore, Idlib dhe Hama, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), regjimi i Asadit, përkundër vendimit të mbrëmshëm të KS-OKB-së për “armëpushim humanitar” një mujor në Siri, që nga orët e mëngjesit të ditës së sotme ka sulmuar 8 rajone nga toka dhe ajri.

Forcat e regjimit sirian në orët e mëngjesit të ditës së sotme kanë kryer sulme tokësore dhe ajrore ndaj rajoneve Duma, Haresta, Shifoniyye, Kefer Batna, Hammuriye, Sakba, Baeyt Sava dhe Merxh të Gutës Lindore.

Sipas vlerësimeve të para, si pasojë e sulmeve artilerike në qytezën Hammuriye ka humbur jetën një grua.

Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në Idlib dhe Hama, forcat e regjimit që nga orët e mëngjesit me gjuajtje artilerike kanë marrë në objektiv zonat civile të qarkut Xhisr esh Shugur të Idlibit, kurse kanë sulmuar nga toka edhe rajonin Kefer Zita të qytetit Hama, në pjesën qendrore të shtetit.

Me projekt-rezolutën e miratuar mbrëmë nga KS-OKB-ja me një votim unanim u vendos për të paktën një muaj armëpushim humanitar për dërgimin e ndihmave humanitare në Siri dhe veçanërisht për evakuimin e njerëzve të sëmurë dhe të plagosur rëndë në Gutën Lindore e cila gjendet nën rrethimin e regjimit.

Në vendim kërkohet dërgimi në mënyrë të “sigurtë, pa pengesë dhe të vazhdueshme” i ndihmave humanitare në të gjithë Sirinë dhe ndalimin për të paktën 30 ditë të konflikteve “pa vonesë” nga të gjitha palët për evakuimin e “të sëmurëve dhe të plagosurve rëndë”.

Exit mobile version