Ballina Lajmet Kosovë Ashpërsimi i masave kundër pirjes së duhanit, brenda pesë ditëve u shqiptuan...

Ashpërsimi i masave kundër pirjes së duhanit, brenda pesë ditëve u shqiptuan 150 gjoba për shkelësit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës njofton se brenda pesë ditëve ka shqiptuar 150 gjoba për shkelësit e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Në një përgjigje për Telegrafin nga AUV, thuhet se nga e enjtja e javës së kaluar janë bërë 500 inspektime.

“Nga dita e enjte janë bërë rreth 500 inspektime ku në rreth 150 prej tyre janë shqiptuar masa sanksionuese të përcaktuara me Ligj”, thotë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Sipas Thaçit, ka ngritje të nivelit të respektimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është duke vazhduar punën në mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit të Duhanit. Ekipet inspektuese në kontrollet sipas lanit po vazhdojnë ta kenë ne prioritet edhe respektimin e rregullit ‘Pa Tym’ në hapësirat e mbyllura të përcaktuar me Ligj”, shton ai.

“Ka ngritje të nivelit të respektimit të ligjit, janë duke e mirëpritur dhe duke reaguar masat për të respektuar në mënyrë të vullnetshme, duke e parë si një të mirë për shëndetin e përgjithshëm të qytetareve tonë”, përfundon Thaçi.

Ditë më parë, Ministria e Bujqësisë kishte thënë se nuk do të ketë tolerancë ndaj pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura.

Sipas njoftimit, çdo qytetar gëzon të drejtën ligjore që të mbrohet nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.

“Zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin për Kontrollin e Duhanit”, thekson MBPZHR-ja.

Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi Ligji për Duhanin, i cili ndalon 100 për qind pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura në vende publike me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.

Ligji thekson se dënimi për shkelësin fizik ose qytetarin është 50 euro, për përgjegjësin e hapësirës 500 euro dhe personin juridik apo për subjektin afarist kjo vlerë arrin në 3,000 euro.

Exit mobile version