Kosova rrezikon të përballet me një rënie edhe më të madhe të popullsisë sesa parashikimet aktuale, si pasojë e emigrimit, rënies së lindjeve dhe shtyrjes së moshës së martesës.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, vlerëson se vendi në dekadat e ardhshme do të përballet me zvogëlim të konsiderueshëm të popullsisë dhe plakje të saj.
Në podcastin “Ekonomia pa filtra”, prodhim i KosovaPress-it, Kastrati thotë se sipas projeksioneve të ASK-së, deri në vitin 2060 Kosova mund të humbë rreth një milion banorë, por shprehet skeptik se rënia do të ndalet në këtë shifër.
“Kosova po zvogëlohet për shkak dy faktorëve, rritjen natyrore, nuk e kemi, qysh e kemi pasur në fund të viteve ’80, deri në vitin 2007-2008, e kemi pasur një trend, edhe pas luftës, sërish ka pasur. Tani ka një rënie shumë më të shpejtë. Ikja e fuqisë punëtore do të ketë pasoja për ta në aspektin e çështjes sociale, sepse duhet me punuar tre vetë për një pensionist…E bëjmë një parashikim të popullsisë për 10, deri në 40-50 vite…Është shqetësuese sepse pritet që popullsia e Kosovës deri në vitin 2060 me e rënë 1 milion. Kur bjen 1 milion, është shumë vështirë me e stabilizuar, me mbajtur ata, sepse kur s’ka të rinj, nuk ka më fëmijë. Nëse na bjen, supozohet që në vitin 2035, apo 37, numri i lindjeve dhe vdekjeve do të barazohet…Që i bjen, ai shtimi neto nuk ka me pasur Kosova shtim natyror. Edhe kur s’ka shtim natyror, edhe ka emigracioni e kemi negativ, më shumë shkojnë, Kosova pritet me rënë shumë më shpejt. Shtetet që janë të fuqishme në aspektin ekonomik, e zgjidhin përmes migracionit. Kosova nuk e ka luksin, për me marrë popullsinë nga vendet e tjera. Mund me marrë disa çindra ose mijëra. Po nuk vijnë për shembull të rinjtë ose të rejat. Po në anën tjetër nuk do të thotë se duhesh me pasur numër të madh të popullsisë, që me qenë i fuqishëm në aspektin ekonomik, politik, social”, thotë Kastrati.
Ai thekson dy faktorët kryesorë që po ndikojnë në zvogëlimin e popullsisë janë rënia e shtimit natyror dhe emigrimi.
