Ballina Lajmet Kosovë ​ATK shton kontrollet ndaj shitjeve online

​ATK shton kontrollet ndaj shitjeve online

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka evidentuar 51 raste me parregullsi tatimore gjatë kontrolleve ndaj bizneseve që shesin online.

Nga rreth 60 vizita dhe inspektime të realizuara në terren, ATK ka identifikuar biznese të paregjistruara, punëtorë të padeklaruar dhe shitje të mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.

Si rezultat i këtyre aktiviteteve, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA, ndërsa janë shqiptuar 24 gjoba.

Sipas ATK-së, kontrollet janë realizuar në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, me qëllim mbikëqyrjen dhe formalizimin e sektorit të tregtisë online, i cili gjatë viteve të fundit ka shënuar zhvillim të konsiderueshëm në Kosovë.

Pavarësisht numrit të bizneseve të regjistruara, ATK thekson se në treg vazhdojnë të operojnë subjekte që shesin përmes rrjeteve sociale dhe platformave online, pa përmbushur obligimet ligjore dhe tatimore.

“Shitja përmes internetit apo shpërndarja e produkteve përmes shërbimeve postare nuk përbën përjashtim nga këto obligime”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Ky institucion rikujton se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike është i obliguar të regjistrojë biznesin, të formalizojë punëtorët, të deklarojë të ardhurat dhe të paguajë obligimet tatimore.

ATK ka paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve në këtë sektor, me qëllim identifikimin e aktiviteteve të paregjistruara, luftimin e ekonomisë joformale dhe garantimin e konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve

Exit mobile version