Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Australia konfirmon praninë e tre australianëve në nëndetësen që sulmoi fregatën iraniane...

Australia konfirmon praninë e tre australianëve në nëndetësen që sulmoi fregatën iraniane pranë Sri Lankës

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese konfirmoi sot se tre pjesëtarë të personelit australian ndodheshin në bordin e nëndetëses amerikane që goditi anijen luftarake iraniane në ujërat e Sri Lankës, duke vrarë të paktën 87 persona, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.

“Normalisht nuk do ta konfirmonim një çështje të tillë, por duke patur parasysh takimet tona të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe interesin publik, mund të konfirmoj se pjesëtarë të personelit australian ndodheshin në bordin e asaj anijeje”, tha Albanese për “Sky News” gjatë një interviste.

Ai sqaroi se asnjë australian nuk mori pjesë në ndonjë veprim ofensiv kundër Iranit dhe shtoi se ata ishin pjesë e rotacionit të trajnimit AUKUS. “Pra, nuk është vetëm personel, janë inxhinierë, janë teknikë, janë njerëz që mësojnë këto aftësi, qofshin ata në SHBA apo në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Albanese.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth konfirmoi të mërkurën se një nëndetëse amerikane sulmoi IRIS Dena, një fregatë të klasit Moudge që shërben në Flotën Jugore të Marinës Iraniane. Zyrtarët iranianë thanë se 130 marinarë ndodheshin në bordin e anijes luftarake, e cila po kthehej në shtëpi pas një stërvitjeje detare në brigjet indiane muajin e kaluar. Tridhjetë e dy marinarë u plagosën dhe shumë të tjerë mbeten të zhdukur.

Ndërkohë, presidenti i Sri Lankës, Anura Kumara Dissanayake tha sot se vendi i tij do të ofrojë ndihmë humanitare për një anije të dytë iraniane pranë ujërave të saj territoriale. Ai konfirmoi se 208 persona në bord do të transportohen në Colombo përpara se të shoqërohen në Portin Trincomalee, i cili ndodhet në bregdetin verilindor të Sri Lankës.

“Asnjë civil nuk duhet të vdes në luftëra. Qasja jonë është që çdo jetë është po aq e çmuar sa e jona”, shkroi ai në platformën amerikane të mediave sociale X. Ai u zotua të mbajë një qëndrim neutral dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të angazhohen për paqe.

Sulmi ndaj anijes luftarake iraniane vjen në mes të një fushate ushtarake të vazhdueshme nga Izraeli dhe SHBA-ja kundër Iranit që nga 28 shkurti, e cila ka vrarë mbi 1.000 persona, përfshirë udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë. Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që shënjestrojnë Izraelin dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.

Exit mobile version