Australia miratoi të martën ligje të reja që ashpërsojnë kontrollin e armëve dhe zgjerojnë veprat penale për krimet e urrejtjes, pasi të dyja dhomat e parlamentit miratuan legjislacionin që synon luftimin e antisemitizmit, ekstremizmit dhe dhunës së lidhur me armët e zjarrit, raporton Anadolu.
Dhoma e Ulët dhe Dhoma e Lartë e Australisë votuan në favor të Projektligjit për Luftimin e Antisemitizmit, Urrejtjes dhe Ekstremizmit (Ligjet Penale dhe të Migracionit) 2026 dhe Projektligjit për Luftimin e Antisemitizmit, Urrejtjes dhe Ekstremizmit (Ligjet për Armët e Zjarrit dhe Doganat) 2026.
Projektligji për krimet e urrejtjes u miratua me amendamente që përfshijnë referenca ndaj “nxitjes së dhunës” në përkufizimin e një grupi urrejtjeje, sipas transmetuesit publik “Australian Broadcasting Corporation”.
Legjislacioni synon të kriminalizojë më tej atë që e përshkruan si “sjellje urrejtjeje” dhe të zgjerojë kompetencat për të lejuar anulimin ose refuzimin e vizave.
Ai gjithashtu prezanton një vepër të re penale që e bën të paligjshme nxitjen ose promovimin e urrejtjes mbi bazën e racës, ngjyrës ose origjinës kombëtare apo etnike, përveç rasteve kur fjalimi ose shkrimet janë citime të drejtpërdrejta nga tekste qendrore të feve.
Sipas legjislacionit të ri për armët e zjarrit, do të futen kontrolle më të rrepta të së kaluarës për mbajtësit e licencave të armëve, ndërsa agjencitë e sigurisë do të zgjerojnë shkëmbimin e informacionit, raporton e përditshmja me seli në Melburn, “The Age”.
Teste më të rrepta të përshtatshmërisë “fit and proper” do të zbatohen gjithashtu për aplikantët për licencë armësh, ndërsa vetëm shtetasit australianë do të lejohen të importojnë armë, me kufizime më të forta për llojet e armëve të lejuara.
Sipas ligjeve të reja do të krijohet gjithashtu një skemë kombëtare e blerjes së armëve.
Udhëheqës fetarë australianë kishin bërë më herët thirrje që qeveria ta ndryshojë legjislacionin, duke shprehur shqetësime për lirinë fetare dhe lirinë e shprehjes.
Projektligjet pasojnë sulmin e 14 dhjetorit në Bondi Beach, ku një burrë dhe djali i tij hapën zjarr gjatë një feste të Hanukës, duke vrarë 15 persona dhe plagosur 42 të tjerë. Policia e përshkroi incidentin si një “sulm terrorist”.
Njëri nga dy sulmuesit u vra, ndërsa tjetri u plagos rëndë.
