Australia ka shtuar platformën Reddit dhe aplikacionin Kick në listën e mediave sociale që duhet t’u ndalojnë fëmijëve nën 16 vjeç të hapin llogari.
–Reddit është një platformë online për diskutime dhe ndarje informacioni, ku përdoruesit mund të: Postojnë tema ose pyetje, të ndajnë, foto, dhe video.
–Kick është një platformë ku përdoruesit mund të transmetojnë video live në internet shpesh lojëra, ose biseda me ndjekësit.
Këto platforma i bashkohen Facebook, Instagram, Snapchat, Threads, dhe YouTube, të cilat do të përballen me një detyrim ligjor, të parin në botë për të mbyllur llogaritë e fëmijëve australianë nën 16 vjeç duke filluar nga 10 dhjetori, njoftoi të mërkurën Ministrja e Komunikimeve, Anika wells.
Platformat që nuk do te marrin masa për të përjashtuar fëmijët nën 16 vjeç mund të ndëshkohen me një gjobë deri në 50 milionë dollarë australianë.
Veprimi i Australisë po ndiqet nga afër nga vende të tjera që ndajnë shqetësime mbi ndikimin e mediave sociale tek fëmijët e vegjël.
Kritikët e ligjit australian frikësohen se ndalimi i fëmijëve të vegjël nga mediat sociale do të ndikojë në privatësinë e të gjithë përdoruesve, të cilët do të duhet të vërtetojnë se janë mbi 16 vjeç.
Më shumë se 140 akademikë australianë dhe ndërkombëtarë, me ekspertizë në fushat e teknologjisë dhe mirëqenies së fëmijëve, nënshkruan vitin e kaluar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Anthony Albanese, duke kundërshtuar vendosjen e një kufiri moshe për rrjetet sociale si “një mjet tepër i ashpër për të adresuar rreziqet në mënyrë efektive.”
