Gjyqtarja e Gjykatës Federale të SHBA-së, Aileen Cannon, e ka dënuar të akuzuarin Ryan Routh me burgim të përjetshëm, plus shtatë vjet, për tentativë atentati ndaj kandidatit të atëhershëm presidencial Donald Trump në një fushë golfi në West Palm Beach në Florida, në shtator të vitit 2024, transmeton Anadolu..
Cannon i dha 59-vjeçarit Routh dënimin shtesë për akuzën që lidhet me armët e zjarrit.
Prokurorët shkruan se Routh “mbetet plotësisht i papenduar”, ndërsa kërkonin dënimin me burgim të përjetshëm.
Routh u vetëpërfaqësua gjatë gjyqit dhe u shpall fajtor vitin e kaluar për të gjitha akuzat, përfshirë tentativën për atentat ndaj një kandidati kryesor presidencial në atë kohë dhe sulmin ndaj një oficeri federal.
Një agjent i Shërbimit Sekret dëshmoi se e kishte parë Routh-in duke drejtuar një pushkë nga ai, përpara se Trump të dilte në fushë. Prokurorët thanë se agjenti hapi zjarr duke e detyruar të dyshuarin të hidhte armën dhe të largohej pa qëlluar.
Pas shpalljes së vendimit vitin e kaluar, Routh raportohet se u përpoq të dëmtonte veten me një stilolaps në tavolinën e tij.
Ky ishte atentati i dytë ndaj Trumpit në vitin 2024, pas të shtënave në një tubim në Pensilvani, ku një plumb i gërvishti veshin atij.
