Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryqi i Kuq i “indinjuar” nga vrasja e një ndihmësi mjekësor palestinez...

Kryqi i Kuq i “indinjuar” nga vrasja e një ndihmësi mjekësor palestinez në Gaza

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) është shprehur e “indinjuar” nga vrasja e një ndihmës mjekësor​​​​​​​ palestinez gjatë një misioni humanitar në Gazën jugore, duke e cilësuar këtë vdekje si shkelje të mbrojtjes që u garantohet punonjësve mjekësorë dhe humanitarë, transmeton Anadolu.

Organizata tha se Hussein Hassan Hussein Al-Samiri, një ndihmës mjekësor i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS), u vra sot teksa kryente detyra për shpëtimin e jetëve në Khan Younis gjatë një sulmi në zonën Al-Mawasi.

Duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe kolegët e tij, IFRC shprehu “solidaritet të plotë” me PRCS-në.

“Punonjësit humanitarë dhe personeli mjekësor duhet të respektohen dhe të mbrohen në çdo kohë, për të siguruar që ndihma shpëtuese të arrijë te njerëzit në nevojë”, thuhet në deklaratë.

Federata theksoi se emblemat e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe janë “simbole të mbrojtjes, humanizmit, neutralitetit dhe shpresës”, megjithatë stafi dhe vullnetarët “shumë shpesh” vriten gjatë kryerjes së punës emergjente.

“Humbja e Hussein-it është një kujtesë tragjike e rreziqeve me të cilat përballen ata që ia kushtojnë jetën ndihmës ndaj të tjerëve”, tha IFRC, duke e quajtur mbrojtjen e civilëve, punonjësve humanitarë dhe personelit mjekësor “një detyrim ligjor dhe moral”.

Sipas federatës, kjo vdekje e fundit e çon në 30 numrin e stafit dhe vullnetarëve të PRCS-së të vrarë gjatë kryerjes së detyrës në Gaza dhe dy në Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit 2023.

Exit mobile version