Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Azerbajxhani zotohet për nxitjen e tranzicionit të gjelbër dhe të bashkëpunimit me...

Azerbajxhani zotohet për nxitjen e tranzicionit të gjelbër dhe të bashkëpunimit me Evropën

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka deklaruar se projektet e tranzicionit të gjelbër të Azerbajxhanit do të mundësojnë bashkëpunim më të ngushtë energjetik me Bashkimin Evropian (BE) dhe do të ndihmojnë në rritjen e furnizimit me gaz për bllokun evropian, transmeton Anadolu.

Duke u adresuar në takimin e Dialogut për Klimën që po mbahet në Berlin, Aliyev tha se vendi i tij do të jetë në gjendje të prodhojë 2 mijë megavat energji të gjelbër dhe diellore deri në vitin 2027 dhe se kapaciteti do të rritet më tej përmes investimeve të reja në vitet në vijim.

“Pra, duke përdorur këtë potencial, ne do të zëvendësojmë në masë të madhe konsumin e gazit për prodhimin e energjisë elektrike. Ne do të kursejmë shumë gaz natyror për të cilin ka nevojë Evropa. Dhe këto vëllime, mendoj se të paktën pesë miliardë metra kub gaz shtesë, do të eksportohen në Evropë. Pra, në fakt është një situatë e favorshme”, tha Aliyev.

Presidenti azerbajxhanas tha se në të njëjtën kohë vendi i tij është në fazën përfundimtare të studimit të fizibilitetit për të ndërtuar linja të integruara transmetimi nga fermat e erës në Detin Kaspik drejt Evropës, përfshirë kabllon nënujore në Detin e Zi.

“Kjo do të lejojë që energjia e gjelbër e Azerbajxhanit, në vëllim prej 4 gigavat, të eksportohet në Evropë”, tha ai.

Në vitet e fundit, Azerbajxhani është bërë një partner gjithnjë e më i rëndësishëm energjetik për BE-në dhe aktualisht po eksporton rreth 12 miliardë metra kub gaz natyror në tregjet evropiane.

Aliyev tha se ata po punojnë për të zgjeruar më tej bashkëpunimin energjetik midis BE-së dhe Azerbajxhanit, në bazë të një deklarate të “partneritetit strategjik” e cila u nënshkrua nga palët në vitin 2022.

“Deri në vitin 2027, eksportet tona të gazit natyror në BE duhet të arrijnë në 20 miliardë metra kub”, u tha presidenti azerbajxhanas pjesëmarrësve në takimin e Dialogut për Klimën.

Exit mobile version