Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka lënë të nënkuptohet se nevojitet një vendim shpejtë i Gjermanisë për furnizimin e Ukrainës me raketa “Taurus”.
“Gjatë një viti e gjysmë, na është dashur të përjetojmë jo vetëm në mënyrë mbresëlënëse, por edhe në një mënyrë brutale, që çdo ditë ka rëndësi”, tha politikania e Partisë së Gjelbër në Berlin.
Pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Senegalit, Aissata Tall Sall, Baerbock iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve duke lënë të nënkuptohet se do të nxiste vendin e saj për një vendim të shpejtë lidhur me dorëzimin e raketave “Taurus” në Ukrainë.
Baerbock përshëndeti vendimin e Holandës dhe Danimarkës për t’i dorëzuar Ukrainës, gjithsej 61 avionë luftarakë amerikanë F-16.
Holanda dhe Danimarka kanë planifikuar të dërgojnë respektivisht, 42 dhe 19 avionë luftarakë F-16.
“Gjermania ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen ajrore dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha Baerbock.
“Nga ky këndvështrim, ne po shqyrtojmë të gjitha interesat e tjera të Ukrainës në mënyrë që të jemi në gjendje të mbrojmë njerëzit në vendin e konfliktit”, shtoi ajo.
“Ne do të vazhdojmë me një ndarje të punës, besoj e kemi bërë relativisht me sukses muajt e fundit si evropianë, si shtete të NATO-s”, tha Baerbock. /atsh
