Ballina Lajmet Bagdad, zhvillohet ceremoni mortore për Soleimanin dhe Muhandisin

Bagdad, zhvillohet ceremoni mortore për Soleimanin dhe Muhandisin

Në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, është organizuar ceremoni mortore për komandantin e Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, dhe nënkryetarin e grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë mortore në qendër të kryeqytetit morën pjesë kryeministri i Irakut, Adil Abdulmehdi, zyrtarët qeveritarë, komandantët e grupit Hashd al-Shaabi dhe qindra milicë dhe civilë.

Shpesh herë gjatë ceremonisë u brohoritën slogane si “Jo Amerikës”, “Jo Izraelit” dhe “Djalli më i madh Amerika”.

Pas ceremonisë kufomat do të dërgohen në qytetin e Qerbelasë. Kufoma e al-Muhandis do të varroset në Najaf.

Ndryshe, dje në sulmet ajrore pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit është vrarë komandanti i Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, dhe nënkryetari i grupit Hashd al-Shaabi të mbështetur nga Irani, Abu Mahdi al-Muhandis.

Në sulm gjithashtu kishin humbur jetën 10 persona, në mesin e të cilëve 5 shtetas të Irakut.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në deklaratën pas incidentit tha se “një hakmarrje e hidhur po i pret kriminelët”.

“Vdekja e tij nuk do të ndalojë punën e tij, rruga e tij nuk do të bllokohet”, shtoi ai.

Udhëheqësi suprem gjithashtu shpalli zi kombëtare për tre ditë në vend, ndërsa në vend të Soleimani ai emëroi gjeneralin Ismail Qaani.

Exit mobile version