Ballina Artikuj Balanca (terezia) është një nga virtytet më të larta të Islamit.

Balanca (terezia) është një nga virtytet më të larta të Islamit.

Hoxhë Halil Avdulli

Islami ndërton vizionin e tij për jetën mbi tre dualitetet themelore të jetës. Ai nuk e sheh realitetin në mënyrë të copëzuar, por si një tërësi ku elemente të ndryshme bashkëjetojnë në harmoni. Në këtë kuptim, tre dualitete janë themelore për të kuptuar botëkuptimin islam.
1. Absolutja dhe relativja
Zoti është absolut: i përsosur, i pakufizuar dhe pa asnjë të metë. Çdo gjë tjetër përveç Tij është relative, e kufizuar dhe e papërsosur. Në Islam, shumë gjëra mund të diskutohen, të analizohen dhe të interpretohen, por jo ekzistenca dhe përsosmëria e Allahut, sepse Ai përfaqëson Absoluten.
Qytetërimi modern ka prirjen të relativizojë gjithçka, madje edhe Zotin, duke mos lënë asgjë të shenjtë dhe të paprekshme. Islami, përkundrazi, ruan shenjtërinë e Krijuesit dhe relativitetin e krijesës, duke vendosur kufij të qartë mes Hyjnores dhe njerëzores.
2. Materia dhe shpirti
Njeriu, sipas Islamit, nuk është thjesht materie biologjike.
Islami nuk e kundërvë shpirtin me trupin, por i harmonizon ato: adhurimi ushqen shpirtin, ndërsa puna dhe angazhimi ndërtojnë jetën materiale. Asnjëri dimension nuk mjafton pa tjetrin. Një shpirt pa trup është i paaftë për veprim, ndërsa një trup pa shpirt është i zbrazët nga kuptimi.
3. Bota e tanishme dhe ajo e përtejme
Besimi në botën tjetër është një shtyllë thelbësore e besimit islam. Jo çdo padrejtësi merr zgjidhje në këtë botë dhe jo çdo e drejtë realizohet plotësisht këtu. Mohimi i botës tjetër nënkupton, në thelb, mohimin e drejtësisë absolute.
Siç ka thënë një mendimtar: ekzistenca e etjes dëshmon për ekzistencën e ujit. Po kështu, ekzistenca e etjes njerëzore për drejtësi, barazi dhe kuptim përfundimtar dëshmon për ekzistencën e botës tjetër, ku drejtësia do të plotësohet në mënyrë të përsosur.

Myslimani që i ruan këto tre ekuilibra;
-mes absolutes dhe relatives,
-shpirtit dhe materies,
-kësaj bote dhe botës tjetër
është një njeri i balancuar, i qëndrueshëm dhe i drejtë.
Të jesh fetar nuk do të thotë vetëm të kryesh rituale, por të jesh i drejtë, i ndershëm dhe i dobishëm për shoqërinë. Prishja e balancës nuk e dëmton vetëm jetën, por e dëmton edhe vetë fenë.

Exit mobile version