Aleanca e re gjeopolitike Serbi-Izrael: Bosnja, fushëbetejë ekzistenciale dhe sfidë e hapur për sigurinë e Evropës
Një artikull i fundit në Jerusalem Post, ka shërbyer si platforma ku është konfirmuar ajo që i druheshin shumë analistë: rreshtimi strategjik dhe ideologjik i Banja Lukës me narrativa që i përkasin zonave më të nxehta të konfliktit në botë.
Përmes këtij shkrimi, konfirmohet aleanca serbo-izraelite në nivel diskursi, ku Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska, nuk po përdor më thjesht retorikë separatiste, por po shpall një doktrinë të re mbijetese që e pozicionon entitetin e tij si “Izraelin e Ballkanit”.
Ky konfirmim i një aleance strategjike mbi baza të supozuara të “rrethimit ekzistencial”, mbart me vete një paralajmërim ogurzi për një luftë të re, të maskuar si mbrojtje kundër radikalizmit. Thelbi i kësaj aleance mbështetet në instrumentalizimin e frikës.
Dodik po huazon modelin e shtetit të Izraelit për të justifikuar militarizimin e Republika Srpska dhe shkëputjen nga Bosnje-Hercegovina. Shkrimi në “Jerusalem Post” e thotë hapur: “Serbët në Bosnje po përballen me të njëjtin lloj delegjitimimi dhe rrethimi që shteti i Izraelit ka duruar për dekada nga fqinjët e tij armiqësorë”.
Ky krahasim shërben për të përmbysur rolin e viktimës; duke e paraqitur Sarajevën si një kërcënim “islamik”, Dodik kërkon legjitimitet ndërkombëtar për veprime të njëanshme ushtarake dhe politike, duke sfiduar hapur Marrëveshjen e Dejtonit.
Për më tepër, aleanca konfirmohet përmes pretendimit se Republika Srpska është “vija e parë e mbrojtjes kundër krijimit të një shteti islamik në zemër të Europës, njësoj siç Izraeli shërben si mburojë e vlerave perëndimore”.
Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë për të djathtën globale: çdo konflikt i ardhshëm në Ballkan nuk do të jetë një luftë për territor, por një “luftë midis qytetërimeve”. Përmes një gjuhe të tillë, Dodik po shpall fundin e rendit diplomatik.
Ai paralajmëron se njëlloj si Izraeli, as serbët “nuk mund të mbështeten vetëm te premtimet e huaja për sigurinë e tyre”, duke nënkuptuar se forca ushtarake dhe vetëgjyqësia janë mjetet e vetme të mbetura për sovranitet.
Ky sinkronizim me tensionet globale është një thirrje e hapur për destabilizim. Kur një lider deklaron se identiteti etnik dhe fetar janë bërë sërish “vijat e frontit të një lufte që nuk njeh kompromis”, asgjësohet edhe hapësira për paqe.
Përballë këtij skenari, është e rrezikshme heshtja e Uashingtonit dhe Brukselit. Nëse SHBA dhe BE nuk ndërhyjnë me sanksione dërrmuese dhe prani të shtuar për të çmontuar narrativën e “Izraelit të Ballkanit”, rajoni do të zhytet në një konflikt që do të tejkalojë kufijtë e Bosnjës.
Aleanca e promovuar nga Dodik, është parathënia e një tragjedie që duhet ndalur para se të hapen sërish llogoret në zemër të Evropës. Koha për diplomacinë shterpë ka mbaruar. Tani është koha për një reagim të fortë ndaj arkitektëve të këtij destabilizimi. /tesheshi.
