Numri i vdekjeve të fëmijëve të lidhur me fruthin e konfirmuar dhe infeksionet e dyshuara në Bangladesh u rrit në 803 gjatë katër muajve të fundit pasi gjashtë fëmijë të tjerë vdiqën nga simptoma të ngjashme me fruthin në 24 orët e mëparshme, treguan sot të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, transmeton Anadolu.
Nga totali i viktimave, 95 ishin raste të konfirmuara mjekësorë me fruth, sipas buletinit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Shëndetësore. Katër nga gjashtë vdekjet e fundit u raportuan në rrethin e Dhakës.
Gjatë të njëjtës periudhë 24-orëshe, autoritetet shëndetësore regjistruan 133 raste të konfirmuara të fruthit dhe 904 infeksione të dyshuara. Shifrat e reja e çuan numrin e infeksioneve të konfirmuara në 14.841 ndërsa rastet e dyshuara arritën në 120.352 që nga mesi i marsit.
Vendi i Azisë Jugore, me një popullsi prej rreth 175 milionë banorësh, ka luftuar për të frenuar epideminë.
Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, duke cituar të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thanë javën e kaluar se Bangladeshi ishte ndër vendet e prekura rëndë nga fruthi, duke regjistruar 42.174 raste të konfirmuara ose të dyshuara midis dhjetorit dhe majit.
OBSH-ja tha se Bangladeshi kishte arritur më parë imunitetin e tufës kundër fruthit, por e humbi atë në vitet e fundit për shkak të rënies së mbulimit të vaksinimit. Që nga 5 prilli, Ministria e Shëndetësisë ka vaksinuar më shumë se 18 milionë fëmijë.
Fruthi është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht fëmijët dhe mund të shkaktojë komplikime të rënda, përfshirë pneumoni, inflamacion të trurit dhe vdekje, veçanërisht te fëmijët e kequshqyer ose të pavaksinuar.
Mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të parandalueshme nga vaksinat tek fëmijët në mbarë botën.