Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Banka Qendrore e Rusisë kërcënon BE-në me veprime ligjore për asetet e...

Banka Qendrore e Rusisë kërcënon BE-në me veprime ligjore për asetet e ngrira

Banka Qendrore e Rusisë tha sot se planet e Bashkimit Evropian për të përdorur asetet e saj të ngrira janë të paligjshme dhe kërcënoi se do ta kundërshtojë propozimin, transmeton Anadolu.

“Mekanizmat e përdorimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të aseteve të Bankës së Rusisë si dhe çdo formë tjetër e përdorimit të paautorizuar të aseteve të Bankës së Rusisë, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë shkeljen e parimeve të imunitetit sovran të aseteve”, tha banka në një deklaratë.

Banka qendrore tha se përdorimi i aseteve për të lëshuar kredi dëmshpërblimi për Ukrainën do të kundërshtohet në “gjykatat kombëtare, autoritetet gjyqësore të shteteve të huaja dhe organizatat ndërkombëtare, gjykatat e arbitrazhit dhe instanca të tjera gjyqësore ndërkombëtare, të ndjekura nga zbatimi i vendimeve gjyqësore në territoret e shteteve anëtare të OKB-së”.

Në një deklaratë të veçantë, Banka qendrore tha se do të ngrejë padi në një gjykatë ruse kundër “Euroclear”-it, shtëpisë së kliringut financiar me seli në Bruksel që mban asetet e ngrira, për humbjet e shkaktuara për shkak të ngrirjes së aseteve të saj.

“Veprimet e depozituesit të ‘Euroclear’-it kanë shkaktuar dëme në Bankën e Rusisë për shkak të pamundësisë për të menaxhuar fondet dhe letrat me vlerë që i përkasin Bankës së Rusisë”, tha deklarata.

Një pjesë e madhe e aseteve ruse të ngrira globalisht me vlerë rreth 325 miliardë dollarë mbahen në Evropë. BE-ja propozon që një pjesë e tyre t’i vihet në dispozicion Kievit për të mbuluar nevojat e saj financiare për vitet 2026 dhe 2027.

Megjithatë, Belgjika i ka kundërshtuar planet e BE-së duke thënë se kjo mund të ketë pasoja ligjore dhe gjithashtu rrezikon procesin e paqes. Banka Qendrore Evropiane është e shqetësuar se propozimi mund të minojë besimin në euro në tregjet globale.

Udhëheqësit e BE-së do të vendosin nëse do t’i përdorin asetet e ngrira ruse për Ukrainën në një samit në Bruksel më 18 dhjetor.

Exit mobile version