Mesazhet e Pashkës, katoliku Rama & Co fshikullohet nga gjuha e Arqipeshkvit
Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj përcolli mesazhe të forta në urimin në vigjilje te Pashkës, duke theksuar se “ndryshimin duhet ta bëjmë ne dhe jo ta presim nga jashtë” dhe shtoi se sot ka nevojë për ndërgjegjje reaguese ndaj korrupsionit.
Fjalët e tij ishin qartazi në adresë të politikës, më saktë qeverisjes, e cila ka në krye të njeri që thotë se është katolik, që do të thotë pra se Rama i përket grigjës së bariut në fjalë, Dodajt.
“Vendi ynë nuk duhet të presë që e drejta apo e ardhmja do të na vijë nga jashtë. A thua vallë se të huajt e kanë për detyrë ta duan më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ashtu si Krishti nuk mbeti në varr, por hapi një rrugë të re përtej vdekjes, edhe për ne nuk ka situata pa shpresë.
Secili prej nesh mund t’i drejtohet vetvetes me fjalët e Nënë Terezës së Madhe: bëhu ti ndryshimi që pret dhe do ta shohësh në Shqipëri. Prandaj sot është thelbësore mos të dorëzohemi përballë së keqes, por të mbjellim shpresë konkrete. Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj.
Ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk e pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe mënjanimin si diçka normale. Është ky një urim për të gjithë, sidomos për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore, që të shohin me largpamësi edhe përgjegjësinë për të ardhmen e vendit, pasi ata janë të parët që nga ky vend kanë pasur shumë nga të mirat me të cilat gëzohen dhe krenohen”, u shpreh Arqipeshkvi Arjan Dodaj. /tesheshi
