Ballina Sport Futboll Bayerni gjashtë gola Mainzit

Bayerni gjashtë gola Mainzit

Ashtu siç pritej, Bayern Munich ka shënuar fitore të lehtë, në përballjen kundër Mainz.

Bayern ka shënuar fitore me rezultatin 6:1, fitore kjo që erdhi me përmbysje, pasi fillimisht kampionët e gjetën vetën në disavantazh.

Ishte minuta e 6’ e takimit kur Jean Paul Boetius zhbllokoi takimin, për t’i dhënë epërsinë skuadrës së Mainz, epërsi kjo që nuk diti të menaxhohej siç duhet.

Mbrojtësi i transferuar këtë verë tek Bayern, Benjamin Pavard, ishte ai që barazoi shifrat, kur po luhej minuta e 36’, shkruan lajmi.net.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, David Alaba shënoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë, për ta quar skuadrën me epërsi në pushimin mes dy pjesëve.

Pjesa e dytë i takoi në tërësi skuadrës së Bayern, të cilët realizuan edhe katër gola të tjerë për të vulosur fitoren në xhiron e tretë.

Kroati Ivan Perisic ishte ai që realizoi golin e tretë të skuadrës së tij në këtë takim, në minutën e 54’, për t’i dhënë qetësi skuadrës së tij.

Serinë e golave e vazhdoi Kingsley Coman, kur në minutën e 64’, pas asistimit të Joshua Kimmich, tundi rrjetën e Mainz.

Lewandowski në minutën e 78’ dhe Alphonso Davies në minutën e 80’ realizuan dy golat që vulosën rezultatin e thellë të këtij takimi.

Me këtë fitore, Bayern ngritët në kuotën e shtatë pikëve, duke qëndruar në pozitën e dytë, me dy pikë më pak se Leipzig.

Exit mobile version