Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE-ja dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit hedhin poshtë çdo pretendim për...

BE-ja dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit hedhin poshtë çdo pretendim për sovranitet mbi Hormuzin si “të paligjshëm”

Bashkimi Evropian (BE) dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) kanë hedhur poshtë si “të paligjshëm” çdo pretendim të një shteti për sovranitet ose kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit dhe kundërshtuan vendosjen e lejeve apo tarifave për transportin ndërkombëtar detar përmes kësaj rruge strategjike, transmeton Anadolu.

“Asnjë marrëveshje dypalëshe, mirëkuptim apo memorandum ndërmjet shteteve nuk mund të rregullojë ose kufizojë në mënyrë të paligjshme të drejtën e kalimit nëpër një ngushticë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy blloqeve pas Forumit të Nivelit të Lartë për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Rajonal, i mbajtur në Bruksel më 13 korrik.

BE-ja dhe GCC-ja theksuan se e drejta e kalimit u garantohet të gjitha shteteve sipas së drejtës ndërkombëtare dhe “nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit ose autorizimit të asnjë shteti”.

Forumi u bashkëkryesua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas dhe ministri i Punëve të Brendshme i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al-Zayani, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Ministror të GCC-së.

BE-ja dhe GCC-ja riafirmuan se liria e lundrimit, përfshirë kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit si një ngushticë e përdorur për lundrim ndërkombëtar, garantohet nga e drejta ndërkombëtare, siç pasqyrohet në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit.

“Anijet e të gjitha shteteve gëzojnë këto të drejta dhe asnjë shtet nuk mund t’i pezullojë, t’i pengojë ose t’i kushtëzojë ato”, thuhet në deklaratë.

BE-ja dhe GCC-ja dënuan gjithashtu “me termat më të ashpër” sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, si dhe sulmet ndaj territoreve sovrane të disa vendeve të rajonit.

Exit mobile version