Bashkimi Evropian në Kosovë ka mirëpritur ratifikimin e sotëm të marrëveshjeve të BE-së që lidhen me Planin e Rritjes në Kuvendin e Kosovës.
BE ka thënë se kjo i hap rrugë Kosovës për të përfituar nga 882 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme të orientuara drejt zbatimit të reformave që e çojnë përpara Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian.
“BE-ja në Kosovë mirëpret ratifikimin e sotëm të marrëveshjeve të BE-së që lidhen me #PlanineRritjes nga.. Kuvendi. Kjo i hap rrugën Kosovës për të përfituar nga 882 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme të orientuara drejt zbatimit të reformave që e çojnë përpara Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian”, ka shkruar BE-ja.
Ndryshe sot, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen e kredisë në vlerë prej 629 milionë euro nga Komisioni Evropian, në kuadër të “Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”. Po ashtu në Kuvend u miratua edhe projektligji i radhës, ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së mbi angazhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje si dhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimi Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së BE-së në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje.
