Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE konfirmon integritetin territorial të Danimarkës pas emërimit të të dërguarit të...

BE konfirmon integritetin territorial të Danimarkës pas emërimit të të dërguarit të SHBA në Grenlandë

Ruajtja e integritetit territorial të Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për Bashkimin Evropian, tha sot një zëdhënës i BE-së, duke iu përgjigjur zhvillimeve të fundit diplomatike të SHBA-së lidhur me Grenlandën, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për mediat në Bruksel, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar el Anouni nuk komentoi drejtpërdrejt vendimet e SHBA-së, por theksoi qëndrimin e hershëm të BE-së për këtë çështje.

Ky koment vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të dielën emërimin e një të dërguari të posaçëm në territorin autonom.

“Nuk është për mua të komentoj vendimet e SHBA-së, por ajo që mund të them për qëndrimin e BE-së është se, ai ka qenë qëndrimi ynë i hershëm për këtë çështje dhe ruajtja e integritetit territorial të Mbretërisë së Danimarkës, sovranitetit të saj dhe paprekshmërisë së kufijve të saj është thelbësore për BE-në”, tha El Anouni.

Më herët gjatë ditës, Danimarka njoftoi se do të thërriste Kenneth A. Howery, ambasadorin e SHBA-së në Kopenhagë, për një shpjegim pasi Trump emëroi Jeff Landry, guvernatorin e shtetit amerikan të Luizianës, si të dërguarin e posaçëm të Washingtonit në Grenlandë, raportoi DR News.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen e përshkroi veprimin e SHBA-së si “krejtësisht të papranueshëm” dhe se vendimi për të thirrur ambasadorin e SHBA-së u mor në konsultim me autoritetet e Grenlandës.

Ai tha se Danimarka kërkon shpjegim të plotë se pse Washingtoni emëroi të dërguar të posaçëm në Grenlandë, pavarësisht se tashmë ka ambasador në vend.

Trump e ripërtëriu interesin e tij për Grenlandën pas rizgjedhjes së tij si president i SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale. Ai më parë e përshkroi pronësinë e Grenlandës si “domosdoshmëri absolute” për sigurinë ekonomike të SHBA-së, duke e krahasuar blerjen me një “marrëveshje të madhe pasurish të paluajtshme”.

Megjithatë, as Danimarka dhe as Grenlanda nuk janë të gatshme t’i japin “dritën e gjelbër” pronësisë amerikane të ishullit, siç është shprehur vazhdimisht në përgjigje të propozimeve të Trumpit.

Grenlanda, ish-koloni daneze, arriti qeverisjen vendase në vitin 1979 dhe mbetet territor i Danimarkës. Në vitin 2009, një referendum miratoi Aktin e Vetëqeverisjes, duke i dhënë Grenlandës autonomi më të madhe ndërsa Danimarka mban kontrollin mbi politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë.

Exit mobile version