Ballina Lajmet BE: Sulmet në Idlib do të shkaktojnë pasoja shkatërruese humanitare

BE: Sulmet në Idlib do të shkaktojnë pasoja shkatërruese humanitare

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se sulmet ajrore të regjimit sirian të Bashar al-Asadit dhe Rusisë në Idlib dhe Hama do të prodhojnë pasoja shkatërruese humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarit të AA-së, rikujtoi se BE edhe më herët ka bërë thirrje që t’u jepet fund operacioneve ushtarake në Idlib.

“Sulmi do të shkaktojë pasoja shkatërruese humanitare dhe vuajtje. Jemi duke i vazhduar bisedimet me palët relevante. Vazhdojmë ta mbështesim iniciativën që zhvillohet në suaza të Kombeve të Bashkuara (OKB)”, deklaroi Kocijançiç.

Gjatë 9 ditëve të fundit 29 civilë të vdekur

Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile, në sulmet ajrore dhe tokësore në perëndim dhe jugperëndim të Idlibit dhe në veri të Hamas, duke filluar nga fillimi i këtij muaji kanë humbur jetën 29 civilë ndërsa të paktën 71 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, në Hama janë sulmuar spitale dhe qendra e Mbrojtjes Civile.

Sot më herët, 17 persona u plagosën nga sulmet e regjimit sirian dhe Rusisë me avionë luftarakë ndaj vendbanimeve civile, një shkolle dhe linjave të frontit të opozitarëve ushtarakë në Idlib dhe Hama.

Idlibi, qytet në veriperëndim të Sirisë i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve ushtarakë dhe të grupeve të armatosura kundër regjimit, në takimin e Astanas më 4-5 maj të vitit 2017 është shpallur “zonë e deeskalimit”. Mirëpo, regjimi dhe kohë pas kohe Rusia vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore ndaj rajonit.

Exit mobile version