Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se integrimin evropian është një projekt i përbashkët dhe drejtim strategjik i të gjithë rajonit, raporton Anadolu.
Begaj po zhvillon në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë është pritur nga homologia e tij, Gordana Siljanovska-Davkova, ku mbajtën dhe një konferencë të përbashkët për mediat.
Gjatë konferencës Begaj u shpreh se theksuan gjatë takimit se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shembull i bashkëpunimit rajonal dhe se vendet mbeten të vendosura për të thelluar më tej bashkëpunimin.
“Gjatë bisedës tonë vlerësuam marrëdhëniet shumë të mira miqësore dhe intensive që kemi midis dy vendeve tona si dhe përkushtimin e përbashkët për të çuar më tej bashkëpunimin dypalësh rajonal dhe më gjerë në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona është i rëndësishëm. Ne duhet ta thellojmë më tepër këtë bashkëpunim politik, ekonomik dhe shoqëror”, tha Begaj.
Duke folur për rolin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Begaj tha: “Shqiptarët këtu janë shtetformues dhe kontribuues, janë bashkëpunues, konstruktivë dhe demokratikë. Faktori shqiptar dhe shqiptarët kanë qenë dhe mbeten kyç për stabilitetin politik ne qeverisje dhe në avancimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Shqipëria e vlerëson si arritje historike Marrëveshjen Kornizë të Ohrit”.
Begaj shtoi se për Shqipërinë integrimi evropian është i rëndësishëm. “Integrimin evropian nuk është vetëm objektiv kombëtar i Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, por është një projekt i përbashkët dhe drejtim strategjik i të gjithë rajonit tonë. Për ne është i rëndësishëm integrimi. Objektivi ynë strategjik është që të përmbyllim kapitujt deri në vitin 2027 dhe të bëhemi pjesë e BE-së deri në vitin 2030. Shqipëria mbështet Maqedoninë e Veriut në këtë proces të integrimit”, tha Begaj.
“Sa i përket çështjes të lidhur me kampet e refugjatëve nuk është një çështje e cila domosdoshmërish ka për efekt vendosjen emigrantëve në Pustec. Është një plan masash i marrë nga qeveria shqiptare në rast se do të ketë flukse migratore. Aktualisht (në) kufirin e Shqipërisë në bashkëpunim me Frontex kryhen vëzhgime të rregullta dhe kontrolle të rregullta për mospranimin e refugjatëve në territorin e Shqipërisë”, shtoi ai.
Begaj shtoi se i shprehu presidentes Siljanovska-Davkova falënderimet e Shqipërisë për kontributin dhe bashkëpunimin që kanë me Republikën e Kosovës.
“Vlerësuam edhe bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes si dy vendeve fqinje dhe aleatë në NATO dhe ky bashkëpunim i shërben paqes, stabilitetit, prosperitetit dhe sigurisë në rajon”, tha ndër të tjera Begaj.
Presidenti Begaj do të pritet gjatë ditës edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të Maqedonisë së Veriut.
