Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Begaj vizitë në Moldavi: Zgjerimi i BE-së, një nga instrumentet më efektive...

Begaj vizitë në Moldavi: Zgjerimi i BE-së, një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Moldavi, ndërkohë sot u prit në një takim nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se takimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sigurinë rajonale, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe unitetin evropian përballë këtyre sfidave.

“Shqipëria mbështet popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe evropiane, në një kontekst gjeopolitik dhe sigurie mjaft sfidues të shënuar nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë që burojnë prej tij”, është u shprehur Begaj.

Sipas njoftimit, krerët e dy shteteve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu theksohet se edhe në konferencën për mediat, Begaj dhe Sandu konfirmuan angazhimin për bashkëpunim në përmbushjen sa më shpejtë të agjendës evropiane, “me synimin anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes progresit të bazuar në meritë dhe reforma”.

– “Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”

Presidenti Begaj theksoi se “Shqipëria beson se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë, stabilitetit, begatisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropë. Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”.

Begaj ka theksuar se Shqipëria synon thellimin e bashkëpunimit duke shfrytëzuar mekanizmat e krijuar në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit për integrimin evropian të nënshkruar së fundmi.

“Shqipëria qëndron pranë Moldavisë si mike, si partnere dhe si aspirante e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së bashku, ne kontribuojmë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen tonë”, është shprehur ndër të tjera Begaj.

Një vëmendje të veçantë, sipas njoftimit, Begaj i kushtoi gjatë kësaj vizite Kosovës, ku thuhet se Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Moldavia në lidhje me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kontributin me trupa në misionin e KFOR-it.

“Në këtë frymë të bashkëpunimit, Shqipëria shpreson se Moldavia, kur ta gjykojë të arsyeshme, do të rishqyrtojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Ne i dimë problemet e brendshme që ekzistojnë, të lidhura me Transnistrian, por gjithsesi, është një çështje që ne mendojmë se do të sillte paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe besim te demokracia”, ka deklaruar Begaj.

Në agjendën e sotme të takimeve të Begajt ishte edhe takimi me një përfaqësi nga Parlamenti i Moldavisë, drejtuar nga kryetari Igor Grosu, “me të cilët u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve si edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Moldavi”.

Exit mobile version