Ballina Artikuj Besimi në kader kultivon tek besimtari ndjenjën e mbështjetjes tek Allahu dhe...

Besimi në kader kultivon tek besimtari ndjenjën e mbështjetjes tek Allahu dhe kërkimin ndihmë prej Tij

Dr. Ali Salabi

Një nga frytet e besimit në kader është se robi e kupton me bindje të plotë se çështja në tërësinë e saj është në dorën e Allahut: në krijim, në vullnet, në caktim dhe në realizim. Prandaj, Ai nga i Cili kërkohet ndihma për arritjen e qëllimit të synuar është vetëm Allahu, e jo dikush tjetër; për këtë arsye, besimtari i drejtohet Allahut për ndihmë në përmbushjen e synimeve të tij. Nuk është pa urtësi fakti që surja Fatiha lexohet në çdo namaz; madje, nuk ka namaz pa leximin e saj, ashtu siç ka ardhur në hadithin e saktë.

Në këtë sure fisnike, fjala e Allahut të Lartësuar: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”[1]përbën një parim themelor. Nëse besimtari kërkon ndihmë prej Allahut, i ndërmerr shkaqet dhe realizohet ajo që synon, kjo është prej mirësisë dhe dhuntisë së Allahut. E nëse nuk realizohet ajo që kërkon, muslimani nuk dëshpërohet, sepse në vonesën e realizimit ka një mirësi, urtësinë e së cilës ai nuk e di. Allahu di, ndërsa ne nuk dimë; dhe ajo që ne njohim nga urtësia e Tij të Lartësuar është jashtëzakonisht e pakët në krahasim me atë që nuk e njohim nga kjo urtësi. Për këtë arsye, muslimani duhet të ripërtërijë energjitë e tij, duke kërkuar ndihmë nga Allahu, të mos dorëzohet dhe të mos thotë: “Sikur të kisha vepruar kështu, do të kishte ndodhur kështu”, sepse ky lloj fjalimi nuk sjell asnjë dobi, përkundrazi, hap derën shejtanit dhe bie pre e ngacmimeve të tij.

Ai që ka besim të saktë në kader i ndërmerr shkaqet me veprimin e tij, por mbështetja e tij është vetëm te Allahu, jo te vetë shkaqet. Kështu ishte edhe gjendja e hazreti Muhamedit (a.s).

Ai (a.s) u fsheh në shpellë, dhe kjo ishte prej tij një veprim konkret si shkak për të shpëtuar nga idhujtarët. Megjithatë, mbështetja e tij për shpëtim nuk ishte te ky shkak – as te ndonjë shkak tjetër – por vetëm te Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur ishin dy vetë në shpellë, kur ai i thoshte shokut të tij: Mos u pikëllo, vërtet Allahu është me ne”[2] Pra, besimi i tij (a.s), qetësia, prehja shpirtërore dhe shpresa për shpëtim buronin nga shoqërim hyjnor i veçantë, i cili rridhte nga mbështetja e tij te Allahu, e jo nga vetë fshehja në shpellë.

Po ashtu, në betejën e Bedrit, pasi ai (a.s) rregulloi ushtrinë dhe ndërmori shkaqet materiale të betejës, ai u kthye në strehën e përgatitur për të, ku iu drejtua Zotit të tij me lutje dhe e shtoi shumë lutjen, sepse ai (a.s) e dinte se fitorja është në dorën e Allahut, dhe se mbështetja në arritjen e saj duhet të jetë te Allahu, jo te shkaqet që ai kishte ndërmarrë, edhe pse marrja e tyre është e domosdoshme. Ky është tevekuli i vërtetë, i cili është një nga frytet e besimit të saktë në kader. Nga frytet e tevekulit është ajeti kuranor në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Kush mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij”[3]

Autor: Ali Muhamed Salabi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Fatiha: 5.

[2] – Sure Teube: 40.

[3] – Sure Talak: 3.

Exit mobile version