Ballina Artikuj Besimi përsoset përmes veprave të mira dhe moralit të lartë

Besimi përsoset përmes veprave të mira dhe moralit të lartë

           

           Të nderuar besimtarë!

Në ajetin e Kuranit Famëlartë që lexova, Allahu (xh.sh.) urdhëron: Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?.[1]

Ndërsa në hadithin e nderuar, Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) urdhëron: Ku do që të jesh, ji i vetëdijshëm për përgjegjësinë tënde ndaj Allahut (xh.sh.)! Pas një të keqeje bëj një të mirë, që ajo ta fshijë atë. Dhe ndaj njerëzve sillu me moral të mirë”.[2]

            Besimtarë të shtrenjtë!

Feja jonë e Lartë, Islami, përbën një të tërë të pandashme përmes parimeve të besimit (imanit), veprave të mira dhe moralit të lartë. Islami i ngjan një peme, rrënjët e së cilës janë besimi, trupi është vepra e mirë, ndërsa fruti është morali i lartë e i drejtë.

Xhevahiri i vetëm që e lartëson njeriun në rangun e adhurimit dhe të robërisë ndaj Zotit të tij, është besimi. Besim, mbi të gjitha, do të thotë ta njohësh Allahun (xh.sh.) ashtu siç i takon Atij, ta gdhendësh në zemër ekzistencën dhe njëshmërinë e Tij, si dhe të pranosh se Ai nuk ka as shok, as të ngjashëm e as ortak. E mandej, me një përkushtim të sinqertë e të brendshëm, do të thotë të besosh në engjëjt, librat, profetët, ditën e ahiretit, kaderin (përcaktimin) dhe kazanë (gjykimin); si dhe të besosh se e mira dhe e keqja vijnë nga Allahu (xh.sh.).

Besimtarë të dashur!

Zemrat nderohen me dritën e besimit, lartësohen tek Allahu (xh.sh.) dhe fitojnë pëlqimin e Tij vetëm atëherë kur bashkohen me klimën paqësore të veprave të mira. Vepra e mirë  përfaqëson çdo lloj sjelljeje të bukur dhe fisnike që kryhet me qëllimin e vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.). Ajo do të thotë të tregosh besnikëri ndaj urdhrit hyjnor:

«وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتّٰى يَأْتِيَكَ الْيَق۪ينُ»Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë e vërteta e padiskutueshme (vdekja),[3] duke e jetuar tërë jetën me vetëdijen e robërisë ndaj Tij. Vepra e mirë do të thotë t’i kryesh në kohën e duhur dhe sipas kushteve përkatëse adhurimet që përbëjnë shtyllat e Islamit, si namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi. Do të thotë t’i bësh punët e lejuara dhe legjitime në mënyrë të drejtë, të rregullt e me cilësi të lartë. Do të thotë gjithashtu të qëndrosh larg harameve si alkooli, bixhozi, zinaja (marrëdhëniet jashtëmartesore), kamata dhe shpërdorimi (israfi), si dhe të ruhesh nga gënjeshtra, përgojimi dhe shpifja. Do të thotë të mos zgjasësh dorën drejt pasurisë së jetimit, të mos tentosh ryshfetin dhe të mos bësh spekulime apo manipulime me tregun.

Besimtarë të dashur!

Besimi ynë përsoset duke pasqyruar moralin e Islamit në çdo sferë të jetës sonë. I Dërguari i Allahut s.a.s. në një hadith të tij ka urdhëruar: «إِنَّمَا بُعِثْتُ لِأُتَمِّمَ صَالِحَ الْأَخْلَاقِ» Unë jam dërguar vetëm për të përsosur moralin e lartë.[4] Çdo besimtar që nderohet duke qenë pjesë e rrugës së Profetit të Mëshirës, e merr atë si shembull dhe e zbukuron moralin e tij. Ai pajiset me virtyte të larta si mirësia, bamirësia, devotshmëria, thjeshtësia dhe të qenit i drejtë. Ai përpiqet me të gjitha forcat që në familjen dhe mjedisin e tij të sundojë dhembshuria dhe mëshira. Qëndron larg çdo lloj dhune, shtypjeje, kryelartësie dhe koprracie. Ai e sheh ngrënien e haramit dhe shkeljen e pronës apo të drejtës publike si një mëkat të rëndë e madhor.

Besimtarë të nderuar!

Le të jetë besimi ynë udhëzues i jetës sonë. Le të na udhëheqin veprat tona të mira drejt një robërie të denjë ndaj Allahut xh.sh. Dhe le të na nxisë morali ynë i lartë e i drejtë për t’u sjellë me dhembshuri e mëshirë ndaj njerëzve dhe mbarë krijesave.

Po e përfundoj hutben me këtë lutje të Profetit Fisnik s.a.s.: O Allahu im! Më mundëso të arrij veprat dhe moralin më të bukur. Te më i bukuri i tyre mund të më udhëzosh vetëm Ti. Më mbro gjithashtu nga punët e liga dhe nga morali i ulët. Prej tyre mund të më ruash vetëm Ti”.[5]

 

 

 

 

[1] Ankebut: 2.

[2] Tirmidhiu: Birr, 55.

[3] Hixhr: 99.

[4] Ibn Hanbel: II, 381.

[5] Nesai: Iftitah, 16.

minber/al

Exit mobile version