Presidenti i SHBA-së, Joe Biden pas sulmeve të njëpasnjëshme të shënuara ditët e fundit në vend i bëri thirrje Kongresit për ndalimin e armëve gjysmë automatike dhe karikatorëve me kapacitet të lartë ose mosha e blerjes së armës të rritet në 21, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në Shtëpinë e Bardhë, Biden ka dhënë deklarata lidhur me sulmet me armë në rritje kohët e fundit në vend. Për të përkujtuar viktimat e dhunës me armë, në sallën ku foli Biden u vendosën qirinj në përfaqësim të 50 shteteve, 5 territoreve dhe kryeqytetit Washington DC.
Ai vuri në dukje se nuk është bërë asgjë për sulmet në shkolla që ndodhën më parë dhe sulmet e tjera më pas. “Këtë herë nuk mund të qëndrojmë pa bërë asgjë. Me të vërtetë duhet të bëjmë diçka. Tashmë, mjaft”, tha Biden.
– “Edhe sa shkatërrim duhet të pranojmë?”
Biden theksoi se me thirrjen e tij për të ndaluar armët gjysmë automatike në vend, nuk injorojnë të drejtën e askujt për të poseduar armë sipas nenit shtesë 2 në Kushtetutë. “Kjo nuk është për të hequr të drejtat e askujt. Kjo është për të mbrojtur fëmijët, familjet dhe të gjithë komunitetin. Kjo është të mbrojmë të drejtën tonë për të shkuar në shkollë, në market ose në kishë pa pasur frikën se mund të qëllohesh”, tha ai.
Presidenti amerikan tha se numri i fëmijëve që kanë vdekur si pasojë e sulmit me armë në 20 vitet e fundit në vend është më shumë se totali i numrit të ushtarëve dhe policëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës. “Për hir të Zotit edhe sa shkatërrim duhet të pranojmë? Edhe sa amerikanë të tjerë do të humbasin jetën para se ne të themi diçka?”, theksoi Biden.
Ai i bëri thirrje Kongresit për çështjen e rregullores së armëve. “Duhet të ndalojmë armët gjysmë automatike dhe karikatorët me kapacitet të lartë. Nëse nuk është i mundur ndalimi i këtyre, atëherë moshën e blerjes së armës duhet ta rrisim në 21”, tha Biden.
Ndër të tjera pasi deklaroi se edhe pronarët e armëve duhet të mbahen përgjegjës për ruajtjen e armëve të tyre, Biden kërkoi shtrëngimin e hetimit të të shkuarës në shitjet e armëve.
“Për hir të Zotit, pse një qytetar i zakonshëm mund të blejë një armë automatike që mund të ketë një karikator me 30 fishekë. Dëmi në Uvalde ishte aq i madh sa që familjet u detyruan të identifikojnë fëmijët e tyre nga ADN. Këta fëmijë ishin 9-10 vjeç”, tha Biden. /aa
