Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se bisedimet e zhvilluara në Miami me përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës për përfundimin e luftës në Ukrainë kanë qenë “konstruktive dhe produktive”.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, zhvilloi takime të ndara me delegacione nga Ukraina, Evropa dhe Rusia në shtetin e Floridës. Këto bisedime janë pjesë e një serie takimesh të bazuara në një plan me 20 pika, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës që po vazhdon prej gati katër vitesh.
Megjithë tonin optimist të Uashingtonit, ende nuk ka sinjale të qarta për zgjidhje të afërt të çështjeve kyçe, përfshirë territoret e pushtuara nga Rusia gjatë konfliktit.
Witkoff u takua të shtunën me të dërguarin special të presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, ndërsa të dielën zhvilloi bisedime me zyrtarë ukrainas dhe evropianë. Ai mbajti gjithashtu një takim të veçantë me delegacionin ukrainas, të udhëhequr nga zyrtari i lartë Rustem Umerov. Në takime mori pjesë edhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner.
Në një deklaratë të përbashkët, Witkoff dhe Umerov thanë se bisedimet u fokusuan në një “qasje strategjike të përbashkët mes Ukrainës, SHBA-së dhe Evropës”, me theks të veçantë në afatet kohore dhe hapat e ardhshëm.
Sipas tyre, diskutimet u përqendruan në katër dokumente kryesore: planin me 20 pika, një kornizë shumëpalëshe të garancive të sigurisë, një kornizë të garancive të sigurisë nga SHBA për Ukrainën dhe një plan ekonomik dhe zhvillimi.
Në një postim të veçantë në platformën X, Witkoff e cilësoi gjithashtu “produktive dhe konstruktive” takimin me përfaqësuesin rus, duke deklaruar se Rusia mbetet e përkushtuar për arritjen e paqes në Ukrainë dhe vlerëson përpjekjet e SHBA-së për zgjidhjen e konfliktit. /mesazhi
