Gjashtë të burgosur palestinezë të liruar nga paraburgimi izraelit kanë mbërritur të dielën në Spitalin e Dëshmorëve Al-Aqsa në Deir el-Balah për trajtim mjekësor, sipas burimeve mjekësore. Ata janë transferuar përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).
Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se burrat janë ndaluar nga Izraeli pa procedura të qarta ligjore. ICRC ka deklaruar se që nga tetori i vitit 2023 nuk i është lejuar qasja te palestinezët e ndaluar në burgjet izraelite, duke paralajmëruar se e drejta ndërkombëtare humanitare kërkon trajtim njerëzor dhe kontakt me familjet.
Lirimet janë pjesë e veprimeve sporadike izraelite që përfshijnë të ndaluar nga Gaza, të mbajtur për muaj të tërë. Shumë ish-të burgosur kanë raportuar kequshqyerje dhe lëndime si pasojë e keqtrajtimit.
Rreth 1,700 të ndaluar u liruan në tetor në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, por më shumë se 10,000 palestinezë – përfshirë gra dhe fëmijë – vazhdojnë të mbahen në burgjet izraelite, ku organizatat raportojnë abuzime, uri dhe neglizhencë mjekësore.
Ndërkohë, Mbrojtja Civile në Gaza njoftoi se ka shpëtuar pesë persona, përfshirë një fëmijë dhe dy gra, të cilët kishin mbetur nën rrënojat e çatisë së një shtëpie të shembur në lagjen Sheikh Radwan, në veriperëndim të qytetit të Gazës.
Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare në Gaza, shembja e çatisë ka shkaktuar vdekjen e katër personave. Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, të paktën 18 persona kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së 46 ndërtesave në Gaza.
Që nga tetori i vitit 2023, mbi 70,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 171,000 të tjerë janë plagosur në sulmet gjatë luftës izraelite në Gaza. /mesazhi
