Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka njoftuar se do ta mbështesë marshin protestues “Liria ka emër”, në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së në Hagë.
Vendimi është bërë i ditur pas mbledhjes së kryesisë.
BIK ka thënë se procesin në Hagë e vlerësojnë si politik.
“Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e popullit dhe vendit tonë. Është e papranueshme që të relativizohen krimet serbe dhe, në të njëjtën kohë, përmes gjyqeve politike të krijohet një baraspeshë e rreme, siç po tentohet të veprohet nga gjykata në Hagë”, thuhet në komunikatë.
Kryesia vendosi që hytbeja e xhumasë, ditën e premte më 13 shkurt, në të gjitha xhamitë e Kosovës, t’i kushtohet 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së vendit dhe tema bosht të jetë mesazhi përkrahës për luftëtarët e lirisë.
