Gazeta e Londrës “Times” vazhdoi të hetonte historinë e “Sarajevo Safari”. Gazeta e shquar britanike, duke cituar disa dëshmitarë, raportoi se një grua e pasur rumune, e paidentifikuar, vrau gjithashtu dhjetë qytetarë të Sarajevës, një qytet që ishte nën rrethim nga forcat serbe të Bosnjës për gati katër vjet, me një snajper në fillim të viteve 1990.
Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, nuk është e befasuar që historia e këtij krimi të tmerrshëm është nxjerrë në dritë pas kaq shumë dekadash.
“Rrethimi i Sarajevës nuk ishte vetëm një operacion ushtarak, por një proces i kolapsit të plotë moral, në të cilin vrasja e civilëve u normalizua. Nëse akuzat për ‘safarin e Sarajevës’ vërtetohen, ai nuk do të jetë vetëm një krim lufte, por edhe provë e dehumanizimit që tejkalon ideologjinë, kombin dhe ushtrinë, dhe hyn në sferën e një kulture dhune. Për këtë ngjarje po flitet vetëm pas tridhjetë vjetësh, jo sepse faktet nuk diheshin ose sepse historia nuk është e qartë, por sepse shoqëritë vetëm tani po bëhen të gatshme të pranojnë atë që nuk mund ta duronin më parë. Një gazetar italian e ka hetuar këtë rast për vite me radhë, dhe vetëm kur ai paraqiti një ankesë në gjykatën e Milanos, tema u bë objekt artikujsh të ndryshëm mediatikë. Shpresoj për një hetim serioz, më në fund”, thotë Sonja Biserko për Slobodna Bosna.
Biserko ka mbështetur propozimin e Kurtit për gjykatë të veçantë për vrasjet e civilëve boshnjakë nga snajperët në Bosnje
“Pamjet nga filmi i vitit 1992 “Epika Serbe” që përmendni janë të rëndësishme sepse përfaqësojnë një nga provat e rralla audiovizuale të pranisë së individëve të huaj në vijat e rrethimit të Sarajevës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Megjithatë, vetëm pamjet nuk janë të mjaftueshme për një vendim: përkatësisht, gjykata duhet të provojë një viktimë specifike, një lidhje shkakësore dhe përgjegjësi individuale, që është problemi më i madh me vrasjet me snajper. Unë mendoj se shanset për një gjykatë të re ndërkombëtare janë të vogla, por vetë ideja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është domethënëse sepse tregon se lufta e viteve 1990 nuk ka mbaruar shoqërisht”, ka thënë ajo.
