Ballina Lajmet Kosovë Bislimi dhe Fasel flasin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Bislimi dhe Fasel flasin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua gjatë qëndrimit në Zvicër me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës, Alexandre Fasel.

Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar perspektivën evropiane të Kosovës, objektivat e synimet e rrugëtimit në proceset e integrimit evropian dhe zhvillimin e progresin e vendit.

“U nënvizua se përmes programit tonë qeveritar dhe politikave të ndërmarra, kemi dëshmuar përkushtimin e fuqishëm për qeverisje demokratike dhe bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, për rritje ekonomike të qëndrueshme, me shpërndarje të drejtë e të barabartë tek të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në takim, sipas komunikatës, është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Bislimi theksoi vlerat demokratike të shtetit tonë dhe synimin e përafrimit me bashkësinë evropiane, ku një hap i rëndësishëm është dhe anëtarësimi në këtë organizatë”, thuhet në njoftim.

Në mesin e temave të trajtuara ishin dhe situata në vend dhe rajon si dhe procesi i dialogut.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Fasel për mikpritjen, bisedën e çmuar dhe pikëpamjet e shkëmbyera, duke theksuar dhe rëndësinë e vazhdimit të fuqizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona”, theksohet në komunikatë.

Exit mobile version